Të dëmtuarit nga vërshimet presin të kompensohen

Të dëmtuarit nga vërshimet presin të kompensohen

Aktuale January 28, 2023 - 12:12

Ministria e Bujqësisë paralajmëroi kompensimin e dëmeve në bujqësi, të shkaktuara nga vërshimet e ditëve të fundit. Vitin e kaluar janë kompensuar rreth 1 mijë fermerë, e një numër i konsiderueshëm janë refuzuar, përkundër dëmeve që pësuan. Bujqit e dëmtuar thonë se mos kompensimi i dëmit, është padrejtësi dhe kërkojnë që kjo të përmirësohet. 

Vërshimet e fundit që përfshin Mitrovicën, Podujevën, Klinën apo edhe Komunën e Skenderajt, që u godit më së rëndi, dëme shkaktuan edhe në bujqësi. Në një fermë në Llaushë të Skenderajt, mbi 10 mijë pula ngordhën si pasojë e vërshimeve. Ujërat e rrëmbyeshëm shumë dëme i sollën edhe banorit të Tushilës, Sami Murati.

“Mua më ka dëmtuar një stallë të lopëve, ku uji ka depërtuar në rreth 2 mijë duaj ushqim për kafshë. Më ka vërshuar edhe në mijëra kilogramë me grurë. Më ka dëmtuar edhe serën. Por, në fshat ka bërë dëme edhe më të mëdha”, tregoi Murati për Radio Kosovën.

Në gjithë vendin, dëmet që shkaktuan vërshimet në bujqësi, vlerësohen të jenë të mëdha. Në këtë situatë, pas vizitave në terren, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka premtuar kompensim për bujqit e dëmtuar, të cilët i ka ftuar të dokumentojnë dëmet pranë drejtorive komunale për bujqësi.

Përkundër raportimeve që bënë për dëmet që pësuan nga fatkeqësitë natyrore vitin e kaluar, Ministria e Bujqësisë refuzoi kompensimin e dëmeve për disa fermerë në komuna të ndryshme. Njëri nga ta është edhe Valon Vehapi nga Komuna e Lipjanit, të cilit, vitin e kaluar breshëri ia dëmtoi disa hektarë me grurë. Teksa ankohet për padrejtësi nga Ministria e Bujqësisë, ai thekson se ka edhe bujq të tjerë që nuk u kompensuan. 

 “Me sa kam informacione, te nëntë fermerët që jemi refuzuar dëmi i vlerësuar nga komuna është rreth 180 mijë euro. Ndërsa, për 43 fermerë të tjerë janë ndarë rreth 100 mijë euro. Ministria, nëse duan ta bëjnë mirë punën, duhet mbuluar të gjithë fermerët, sepse është e  padrejtë. Në të njëjtën fushë ka rënë breshër. Fermeri në mezhdë me mua është kompensuar, e unë jo. Si ka mundësi që breshëri ta ketë  dëmtuar vetëm grurin e mezhdenikut e timin jo. Kjo është e padrejtë dhe e gërditshme. Këtë gabim ndoshta e korrigjojnë, sepse me të vërtetë për fermerët është një dëm i madh”, tha ai. 

Në lidhje me atë se pse nuk është kompensuar fermeri në fjalë dhe raste të tjera të ngjashme, Radio Kosova ka pyetur Ministrinë e Bujqësisë.

Nga kjo ministri, fajin ua kanë lënë komisioneve vlerësuese nëpër komuna.

“Për vitin 2022 janë kompensuar 980 fermerë të cilët i kishin të kompletuara dosjet bazuar në Udhëzuesin e MBPZhR-së. Ndërsa, për ata të cilët komisionet komunale nuk i kanë kompletuar dosjet e nevojshme, kishin të drejtë ankese në Komisionin për Shqyrtimin e Ankesave. E ky komision është ende duke punuar në shqyrtimin e ankesave dhe pas përfundimit të plotë të punës do të dalë me një raport përfundimtar. Fermerët, lënda e të cilëve do të kualifikohet pas shqyrtimit të këtyre ankesave, do të kompensohen”, kanë thënë në një përgjigje me shkrim zyrtarë nga Ministria e Bujqësisë. /rtklive