Osmani e dekoron me Medalje Presidenciale komandantin e Gardës së Iowës

Osmani e dekoron me Medalje Presidenciale komandantin e Gardës së Iowës

Aktuale January 26, 2023 - 15:50

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka dekoruar me Medaljen Presidenciale Ushtarake komandantin e Gardës Kombëtare të Iowës, gjeneralmajor Benjamin J.Correl. Dekorimi i ushtarakut amerikan u bë sot pas një takimi që Osmani zhvilloi me delegacionin e SHBA-së, të prirë nga gjeneralmajor Benjamin J.Correl, komandant i Gardës Kombëtare të Iowës, ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier dhe zyrtarë të tjerë të lartë të mbrojtjes.

Pasi që ka falënderuar gjeneralmajorin Correl për gjithë angazhimin e tij në fushën e bashkëpunimit bilateral ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Iowës, si dhe kontributin në fushën e mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj, presidentja Osmani e ka dekoruar atë me Medaljen Presidenciale Ushtarake.

Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani ka thënë se Programi i Bashkëpunimit në fushën e Sigurisë i Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-ve, të kryesuar nga Byroja e Gardës Kombëtare, respektivisht Partneriteti shtetëror me Iowën, është thelbësor për marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në këtë kontekst, ajo ka çmuar angazhimin e deritashëm të gjeneralmajorit Correl, duke shfaqur shpresën se marrëdhëniet në fushën e sigurisë ndërmjet të dy shteteve vetëm sa do të thellohen në të ardhmen.

“Rezultatet tua në fushën e bashkëpunimit janë të dukshme dhe rrjedhojë e këtij partneriteti me Gardës Kombëtare të Iowës. Falënderoj shtetin e Iowës për qindra burra dhe gra të Gardës Kombëtare me uniformë, të cilët kanë shërbyer në Kosovë gjatë viteve në kuadër të KFOR-it, sikurse të gjithë ata që janë pjesë e programit të partneritetit”, është shprehur Osmani.

Më tej, presidentja ka theksuar se Garda Kombëtare e Iowës ka kontribuar ndjeshëm në profesionalizimin dhe besueshmërinë ndërkombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke qenë kontribuuese në misionet ndërkombëtare bashkërisht me trupat amerikane.

Ndërkaq gjeneralmajori Correl tha se ndihet i nderuar me dekoratën e presidentes Osmani, e cila sipas tij do të shërbejë si një kujtim i çmuar i partneritetit me ushtrinë dhe shtetin e Kosovës.

Gjeneralmajor Correl ka potencuar se do të vazhdojë ta mbështetë Kosovën në çfarëdo kapaciteti që do të jetë i angazhuar. /Zëri

Image

Image