Konjufca takohet me delegacione të shteteve anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të KE-së

Konjufca takohet me delegacione të shteteve anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të KE-së

Aktuale January 25, 2023 - 19:50

Gjatë ditës së dytë të vizitës zyrtare në Strasburg, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, zhvilloi takime me grupe politike dhe delegacione të shteteve në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE).

Përmes një njoftimi nga Kuvendi, bëhet e ditur se kryetari Konjufca takoi Kryesuesin e Grupit Socialist, Demokrat dhe të Gjelbërit, Frank Schëabe, anëtarë të delegacionit gjerman dhe delegacionin parlamentar të Mbretërisë së Bashkuar.

Po ashtu gjatë ditës, kreu i Kuvendit u prit në takime edhe nga Udhëheqësi i Grupit Konservativ Evropian dhe Aleancës Demokratike, Ian Liddell-Grainnger, Kryesuesi i Grupit të të Majtëve Evropianë të Bashkuar (UEL), George Katrougalos, si dhe i dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

“Në këto takime u diskutua për zhvillimet aktuale në rajon e më gjerë, si dhe për thellimin e bashkëpunimit.Kryetari Glauk Konjufca ritheksoi rëndësinë dhe domosdoshmërinë e anëtarësimit sa më të shpejtë të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, por edhe në Bashkimin Evropian, NATO dhe organizata tjera ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu bëhet e ditur se mbrëmjen e sontme, në bashkëpunim me Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Strasburg, do të organizohet pritje për Anëtarët e APKE-së dhe Përfaqësuesit e Përhershëm, përkatësisht Ambasadorët në Këshillin e Evropës. /Zëri