“Pasi Vuçiqi pranoi planin franko-gjerman, topi kaloi te Kurti”
Foto: Laura Hasani

“Pasi Vuçiqi pranoi planin franko-gjerman, topi kaloi te Kurti”

Aktuale January 23, 2023 - 22:24

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq të hënën në mbrëmje ka lënë të nënkuptohet se Serbia e ka pranuar planin franko-gjerman për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Vuçiq ka përmendur penalizime të rënda për Serbinë përfshirë edhe bllokimin e proceseve integruese në Bashkimin Evropian nëse nuk e pranon planin në fjalë.

Analistët në RTV Dukagjini e kanë konsideruar këtë pranim nga Vuçiqi si zhvillim të ri në dialogun Kosovë-Serbi.

Analisti Ylli Hoxha ka thënë se pas pranimit eventual të Vuçiqit për planin franko-gjerman, Kurti do ta ketë të vështirë të refuzojë formimin e Asociacionit të Komunave serbe.

“Kurti do ta ketë shumë të vështirë që ta refuzojë Asociacionin. Për ta tejkaluar këtë situatë duhet të ketë dialog me spektrin politik në Kosovë apo të shkojmë në zgjedhje të reja parlamentare”.

Serbia do të pranonte çdo marrëveshje që nuk do ta detyronin zyrtarisht të njohin Kosovën, mendon analisti Astrit Gashi.

“Tashmë topi është gjuajtur te kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Kurti tashmë është në një situatë problematike. Nëse ai nuk arrin t’i bind ndërmjetësit për veprimet e tij, ai do të konsiderohet prishësi i paqes. Serbia me këtë veprim ka ndryshuar lojën”, ka shtuar Astrit Gashi.

Edhe ish-ministri Dardan Gashi thotë se Vuçiqi po përgatit trasenë për pranimin e planit franko-gjerman.

“Kjo që bëri Vuçiq është një lëvizje interesante nga ana e Serbisë që e vendos Kurtin në një situatë të vështirë”.

Por ai thotë se me këtë plan nuk mund të pengohet më njohja e Kosovës.

“Nëse Serbia nënshkruan një dokument në lidhje me këtë plan, nuk do të ketë arsye që pesë vendet e BE-së të mos e njohin Kosovën. Ne mund ta lexojmë si të duam, por në këtë marrëveshje është edhe njohja”, shtoi Dardan Gashi.

Për Kosovën po vijnë ditë të vështira, pas lëvizjes së fundit nga Serbia, mendon Dibran Hoxha.

“Nëse ne formojmë Asociacionin dhe nuk marrim njohje direkte nga Serbia, atëherë çfarë kemi fituar. Çfarë garancie ne kemi që nëse pranojmë formimin e Asociacionit, do të ketë marrëveshje finale. Ndoshta na mbetet Asociacioni në derë dhe na defunksionalizohet tërësisht shteti dhe nuk kemi asgjë”, shtoi Dibran Hoxha.

Nga ana tjetër, analisti Ismail Tasholli thotë se edhe në Kosovë edhe në Serbi tashmë e kanë pranuar planin franko-gjerman.

“Në princip tashmë dy liderët e kanë pranuar planin franko-gjerman. Mirëpo edhe ky plan ka shumë të panjohura. Në fillim u tha se është plan evropian. Derisa më pas u tha se është edhe plan amerikan…Kurti me Asociacionin është në një rrugë njëkahëshe. Ai do dalë i plagosur e pranoi apo nuk e pranoi. Nëse e nënshkruan do t’i kërkohet përgjegjësi. Nëse nuk e nënshkruan prapë probleme politike do të ketë”, deklaroi tutje Tasholli.