Nagavci: Edukimi i të rinjve kundrejt dhunës është i rëndësishëm
Foto: Laura Hasani

Nagavci: Edukimi i të rinjve kundrejt dhunës është i rëndësishëm

Aktuale January 15, 2023 - 21:12

Në Kosovë viteve të fundit janë rritur rastet e dhunës ndërmjet bashkëmoshatarëve në familje dhe më gjerë.

Drejtues të institucioneve arsimore dhe atyre për mbrojtjen e të drejtave të njeriut po vlerësojnë se kjo është si pasojë e mungesës së edukimit të hershëm dhe e zbatimit të ligjeve në fuqi.

Pas rritjes së numrit të rasteve të dhunës në Kosovë, po vlerësohet se edukimi i hershëm është shumë i rëndësishëm për parandalimin e kësaj dukurie. Ministrja e Arsimit, Arberie Nagavci, në një përgjigje për Radio Kosovën tha se edukimi i të rinjve kundrejt dhunës është i rëndësishëm, pasi ndihmon në parandalimin dhe raportimin e dhunës me kohë.

” Duhet të investohet dhe të punohet shumë në edukim, sepse edukimi jo vetëm që krijon vetëdijesim më të mirë të vajzave dhe grave për të drejtat e tyre, por edhe vetëdijesim i djemve dhe burrave për respektimin e të drejtave si dhe krijon edhe mundësi për të lajmëruar të gjitha rastet dhe për të reaguar me kohë“, ka thënë Nagavci.

Se edukimi i të rinjve kundrejt dhunës është i rëndësishëm po e vlerësojnë edhe drejtues të institucioneve për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut. Avokati i Popullit, Naim Qelaj, në një përgjigje për Radio Kosovën tha se është i rëndësishëm edukimi dhe vetëdijesimi i publikut dhe gjeneratave të reja, që dhuna të dënohet.

“ Në anën tjetër, ne duhet të punojmë shumë në edukim dhe vetëdijesim të publikut dhe gjeneratave të reja, që dhuna në familje të dënohet dhe të kemi një solidarizim me viktimën. Sepse jemi dëshmitarë të situatave të shumta kur qytetarët flasin kundër dhunës në familje por në anën tjetër veprojnë duke i respektuar ato norma zakonore që me shekuj janë brumosur në shoqërinë tonë e që po reflektojnë në situata të tilla kur po shpërfaqët dhunë në familje dhe dhunë ndaj të tjerëve”, ka thënë Qelaj.

Ndërkohë, edhe psikologët dhe sociologët po vlerësojnë se edukimi i hershëm në familje dhe në shkolla është shumë i rëndësishëm për parandalimin e dhunës në familje dhe me gjerë.