Në Kosovë vazhdon gara ilegale e qenve, kërkohet ndërhyrje më e madhe nga shteti
Foto: Laura Hasani

Në Kosovë vazhdon gara ilegale e qenve, kërkohet ndërhyrje më e madhe nga shteti

Aktuale January 12, 2023 - 12:57

Policia e Kosovës më 4 janar të këtij viti raportoi se në Pejë janë sulmuar dy persona teksa ishin duke e ndjekur një garë të qenve.

Në qendër të raportimit ishte sulmi ndaj dy individëve, por edhe vetë gara me qen është e ndaluar në kuadër të ligjit për përkujdesjen e kafshëve.

Në fakt rasti i Pejës nuk është i vetmi, për gjatë gjithë kohës në Kosovë organizohen luftëra në mes qenve, ku shikuesit për rreth “argëtohen”.

Në Kodin Penal nuk ka ndonjë pikë specifike për garën e qenve, por ekziston neni “Keqtrajtimi i kafshëve dhe ndotja e ushqimit dhe e ujit të shtazëve”, ku përfshihet edhe gara në mes qenve.

Kësisoj gjatë vitit 2022 janë raportuar 23 shkelje, tregon Policia e Kosovës.

Kjo shifër është më e larta sesa në tri vitet paraprake. Në vitin 2021 ishin 15 raste, gjatë vitit 2020 kanë qenë 10 raste, ndërkaq në 2019 u raportuan tetë sosh.

Elza Ramadani, drejtoreshë e Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve, në një përgjigje për Gazetën Express është shprehur e shqetësuar në lidhje me këtë abuzim me kafshët.

“Garat jashtëligjore të qenve (luftërat me qen) në Kosove gjithmonë kanë ekzistuar dhe asnjëherë nuk është bërë asgjë serioze nga ana institucionale për t’i ndaluar këto krime. Vazhdimi i garave me qen është një sinjal i qartë se Policia e Kosovës dhe Prokuroret në nivel vendi ende duhet te familjarizohen dhe vetëdijesohen me faktin që krimet ndaj kafshëve janë po aq të renda dhe të rrezikshme për shoqërinë dhe vetë kafshët. Mungesa e zbatimit të kuadrit ligjor bën që këto fenomene jashtëligjore të vazhdojnë edhe sot”, ka thënë ajo.

Ajo kërkon nga shteti ta luajë rolin e tij, pra të angazhohet në parandalimin e abuzimit ndaj kafshëve.

“Policia e Kosovës dhe Prokuroritë Themelore të vendit duhet ta marrin ketë çështje me seriozitetin që i takon dhe ta ngrenë temën e keqtrajtimit të kafshëve dhe luftërave mes qenve si çështje urgjente për adresim, në mënyrë qe vet institucionet ligjzbatuese (Policia, Prokuroria) të kenë mekanizma te forta ligjore për te gjitha proceset ligjore dhe gjyqësore për te ndaluar dhe parandaluar këto krime”, ka vazhduar ajo.

Thotë se shteti nuk ka marrë iniciative të mjaftueshme për të vetëdijesuar masën që të respektojë të drejtat e kafshëve.

“Ne Kosovë ende nuk është bërë nga asnjë institucion shtetëror një fushate vetëdijesuese për ketë çështje përveç një seminari si trajnim për prokuroret sa i përket keqtrajtimit të kafshëve, ku janë përfshirë edhe garat me qenve, në maj te vitit 2022. Gjithsesi që ka nevojë për fushata informimi sa i përket kësaj dukurie dhe shpresojmë që diçka e tillë do të ndodhë në vitin 2023”, ka deklaruar ajo.

Por jo vetëm qentë vuajnë nga ky trajtim kundër-ligjor dhe kundër-human, Ramadani thekson se të drejtat e kafshëve përgjithësisht në Kosovë janë të shkelura.

“Të drejtat e kafshëve nuk respektohen dhe mirëqenia, shëndeti dhe jeta e kafshëve është jashtëzakonisht e rrezikuar. Çdo kategori e kafshëve ne Kosove nuk gëzon mbrojtjen e duhur ngaqë mungesa e madhe e zbatimit te ligjeve në Kosovë ende është fenomen mjaft prezent dhe mos angazhimi i aktereve relevantë për mbrojtjen e kafshëve, bën qe mirëqenia e tyre te neglizhohet shume. Kafshët shoqëruese mbahen ne kushte te këqija dhe përfundojnë te braktisur ne rruge dhe behet kështu qen endacak. Qentë endacak pastaj keqtrajtohen dhe disa veterinerë vetëm i shohin si përfitim dhe jo si krijesa të gjalla. Kafshët që janë te destinuara për konsum, mbahen ne kushte te këqija dhe nuk ka asnjë monitorim apo vlerësim nga ana e AUVK ose MBPZHR sa u përket kushteve të thertoreve apo mënyrës së therjes se atyre kafshëve. Sa i përket kafshët e egra, janë kategori mjaft e lenë anash dhe “mbrojtja” e tyre është ne duar te gjuetareve te etur për gjak dhe vrasje”, ka deklaruar aktivistja për të drejtat e kafshëve.

Konventa ndërkombëtare, por edhe juridiksioni kosovar mbron të drejtën e kafshëve për trajtim të dinjitetshëm. Zbatimi i këtyre akteve ligjore mbetet sfidë. /express