Pas shtimit të Policisë në veri, Serbia “kërcënon” me dërgimin e një mijë forcave të sigurisë në Kosovë

Pas shtimit të Policisë në veri, Serbia “kërcënon” me dërgimin e një mijë forcave të sigurisë në Kosovë

Aktuale December 08, 2022 - 23:34

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën”, Petar Petkoviç, në një konferencë për media ka thënë se sipas Rezolutës 12/44 të Kombeve të Bashkuara, Beogradi do të shqyrtojë kthimin e deri në 1 mijë pjesëtarëve serbë nga institucionet e sigurisë në Kosovë.

“Vendi ynë do të marrë në konsideratë kthimin e 1 mijë pjesëtarëve të forcave tona për të cilat ne kemi të drejtë sipas Rezolutës 12/44. Presidenti i Serbisë ka përsëritur vazhdimisht se nuk do të lejojmë një tjetër ‘Stuhi'”.

Prezenca e shtuar e Policisë së Kosovës në veri të vendit, pas situatës së tensionur ditëve të fundit, sipas korrierit të presidentit serb, “Albin Kurti vazhdoi pushtimin e veriut të Kosovës”.“Pasi ka konfiskuar verën dhe rakinë, pasi ka sulmuar fëmijët tanë në çerdhe, sot nuk kanë hyrë ushtarët e KFOR-it, por njësitet e ROSU-së derisa fëmijët kanë fjetur në çerdhe”.

“Sipas njohurive tona, 200 deri në 300 apo edhe 350 forca speciale bastisën fillimisht zonat serbe, e më pas kaluan në dhunë. Arsyetimi për këtë është se gjoja shqiptarët që jetojnë atje kanë frikë për sigurinë e tyre”, propagandoi Petkoviç.

“Të gjithë e dinë mirë këtë dhe të gjithë bëjnë sikur janë të çmendur, e lejojnë Albin Kurtin të ndërmarrë veprime që synojnë varrosjen e Marrëveshjes së Brukselit”, deklaroi ai, teksa shtoi se “për këtë më në detaje do të flasë Aleksandër Vuçiq, i cili nesër dhe pasnesër do të ketë takime të rëndësishme dhe më pas do ta informojë opinionin”.

Ndërkaq, Petkoviç lëshoi edhe një paralajmërim në drejtim të komunitetit ndërkombëtar duke thënë se “le të kujdesen mirë ata nga perëndimi dhe ata mentorët e pavarësisë së Kosovës se nuk jemi ne ata që e kemi shkelur Marrëveshjen e Brukselit dhe le të mos habiten me lëvizjet tona”.

“Zotërinj nga perëndimi, mos u çuditni me vendimet e Beogradit”, kërcënoi ai.

Ndryshe, në një përgjigje për Radio Evropa e Lirë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, bëri të ditur se në veri janë duke patrulluar policia e rendit, dhe jo njësitë speciale, duke hedhur poshtë pretendimet e aparatit propagandistik serb.

“Bëhet fjala vetëm për policinë e rendit, jo për ndonjë njësi tjetër”, tha ai.

Policia e Kosovës, pas situatës së tensionuar në pjesën veriore të Kosovës ditëve të fundit, njoftoi se ka shtuar prezencën e saj në këtë zonë ndërsa pjesëtarë të Policisë kanë filluar patrollimin në këmbë, përkatësisht në “Lagjen e Boshnjakëve” në Mitrovicën e Veriut.

Një gjë të tillë e kishte paralajmëruar para pak ditësh edhe kryeministri Albin Kurti dhe ministri Xhelal Sveçla.

Kjo situatë u krijua, pasi serbët e Kosovës, nën urdhrat e Listës Serbe, u tërhoqën nga institucionet në të gjitha nivelet, meqë kërkonin nga qeveria suspendimin e vendimit për masat për vozitësit me targa ilegale serbe.

Përfundimisht, vendimi u shty me ndërhyrjen e Brukselit, por serbët nuk u kthyen në institucione.

Qeveria dhe presidenca nxituan me shpallje të zgjedhjeve, por siç u pa të martën e 6 dhjetorit, kapaciteti për të funksionuar në atë pjesë del të jetë jo i mjaftueshëm.

Të martën, policia bashkë me zyrtarët komunalë zgjedhor u desh të zmbrapsej nga Veriu, pasi serbët nuk lejuan vendosjen e këtyre zyrtarëve në zyrat e KQZ-së në këtë pjesë të vendit.

Si rrjedhojë pati edhe të shtëna armësh e shpërthime, por akoma askush nuk është arrestuar dhe zyrtarët komunalë nuk kanë arritur të shkojnë në veri.

Në anën tjetër, përkundër kërkesave ndërkombëtarët për shtyrje zgjedhjesh, qeveria ka lëshuar një komunikatë për media ku deklarohet se “mbajtja e zgjedhjeve është obligim kushtetues”. Zgjedhjet për katër komunat veriore, janë caktuar për 18 dhe 25 dhjetor. Me 18 dhjetor ato për kryetarë komunash, ndërsa me 25 për Kuvendet Komunale.

 /Albanianpost