Gjykata Themelore në Prishtinë pranon padinë e Shoqatës së Prokurorëve ndaj Qeverisë

Gjykata Themelore në Prishtinë pranon padinë e Shoqatës së Prokurorëve ndaj Qeverisë

Aktuale December 01, 2022 - 16:18

Gjykata Themelore në Prishtinë ka pranuar padinë nga Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ndaj Qeverisë së Kosovës, pas vendimit të marrë nga kjo e fundit për uljen e pagave ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Një gjë të tillë, e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.

Të pakënaqur me vendimin e Qeverisë për uljen e pagave, Shoqata e Prokurorëve padisë ia kanë bashkëngjitur edhe propozimin për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për uljen e pagave.

“Referuar kërkesës tuaj, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë ka pranuar padinë nga Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ndërsa për veprime të mëtejme do ju informojmë pasi që padia të shqyrtohet nga gjykata”, thuhet në përgjigjen e marrë nga gjykata.

Më 24 nëntor 2022, në mbledhjen e 299-të të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) ka miratuar lista e shërbimeve esenciale derisa Qeveria ta shfuqizojë vendimin që ua përgjysmon pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të anulojë vendimi, me të cilin iu ulen pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve. Zogaj kishte paralajmëruar se kanë marrë vendim, me të cilin puna e gjykatave reduktohet dhe do të punohet vetëm me shërbime esenciale.

Po ashtu, edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka marrë vendim me të cilin reduktohet puna e Prokurorive dhe punohet vetëm me staf esencial.

Si KGJK, ashtu edhe KPK, kanë njoftuar se nëse Qeveria nuk e anulon vendimin deri më 8 dhjetor, do të marrin masa të tjera.

Vendimi i KGJK-së dhe KPK-së erdhi pas vendimit të Qeverisë, me të cilin gjykatësve dhe prokurorëve iu ulen pagat.

Kryeministri Albin Kurti mori vendim me të cilin, pagat në sistemin e drejtësisë u kthyen siç ishin para vendimit të marrë në vitin 2017, nga Qeveria Haradinaj.

Lidhur me këtë vendim të Qeverisë, ka reaguar edhe shoqëria civile, duke e quajtur uljen e pagave në sistemin e drejtësisë, ndërhyrje në drejtësi dhe rritje të potencialit korruptiv.

Shoqëria civile ka kërkuar nga Qeveria që urgjentisht ta anulojnë vendimin e sotëm për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve. /BetimipërDrejtësi