PDK-ja fton në interpelancë për sigurinë kryeministrin Kurti dhe ministrat

PDK-ja fton në interpelancë për sigurinë kryeministrin Kurti dhe ministrat

Aktuale December 01, 2022 - 15:01

Deputetët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra dhe Rashit Qalaj, kanë mbajtur një konferencë për media pas rastit së vrasjes së Hamide Magashit.

Ata kanë ftuar kryeministrin Albin Kurti dhe ministrat në interpelancë për sigurinë në vend, raporton Zeri.info.

Deliu-Kodra ka thënë se institucionet po dështojnë në mënyrë sistematike për të ofruar siguri, sidomos për gratë dhe vajzat.

“Këto duhet të jenë rastet e fundit dhe ky duhet të jetë alarmi i fundit për shtetin dhe për shoqërinë tonë. Si Grupi më i madh Parlamentar opozitar ne nuk kemi mundur që të qëndrojmë duarkryq dhe të jemi indiferent karshi përballjes me një gjendje të viktimave pothuajse të përjavshme. Prandaj Partia Demokratike Kosovës në mënyrë urgjente sot ka parashtruar mocionin për interpelancë me kryeministrin për të vënë para përgjegjësisë institucionet qeveritare të cilat me vendimet dhe veprimet e tyre po dështojnë në mënyrë sistematike për të ofruar sigurinë juridike për qytetarët e Kosovës, për gratë dhe vajzat e këtij vendi”, tha ajo.

Deliu-Kodra tha se krimet e fundit ndaj grave duhet të jenë alarmi i fundit për shtetin dhe institucionet.

“Vrasjet dhe krimet e tjera si sulmet seksuale, dhunimet e ngacmimet janë jo vetëm fenomene në rritje, por edhe ngjarje të jashtëzakonshme e tronditëse, të cilat duhet të përbëjnë alarm serioz për shoqërinë, institucionet dhe mbarë vendin”, tha ajo.

Nga ana tjetër, deputeti Rashit Qalaj shprehu shqetësim për mosefikasitetin e institucioneve të sigurisë.

“Në emër të PDK-së i shpreh ngushëllime familjes Magashi dhe të shprehim indinjatën më të thellë për këtë situatë të sigurisë të krijuar këto ditë dhe të shprehim shqetësimin tonë të skajshëm për mosefikasitetin e institucioneve të sigurisë, në këtë rast të Policisë së Kosovës me rastin e fundit, ku viktima është dashur të mbrohet nga institucionet e Kosovës, me qenë se ka pasur një urdhër mbrojtjeje nga Gjykata Themelore kompetente”, tha ai.

Qalaj përsëriti thirrjen e PDK-së për forcimin institucioneve të sigurisë dhe mosndërhyrjen e pushtetit në punën e Policisë së Kosovës.

“Kjo bëhet kur Policisë së Kosovës nuk i ndërhyhet në aspektin operacional, kur institucionet e shtetit nuk udhëhiqen nga ushtrues detyre, kur drejtuesve të këtyre institucioneve dhe punëtorëve të tyre nuk u zvogëlohen pagat, kur punëtorëve të tyre u përmirësohen kushtet e punës. Ata nuk kanë asnjë mbështetje nga institucionet përkatëse. Ne kemi bërë thirrje të vazhdueshme që PK-ja të ketë drejtorin e saj”, u shpreh ai. /Zëri