Krasniqi për vrasjen e 35-vjeçares: Tragjike, mizore, çnjerëzore!
Foto: Laura Hasani

Krasniqi për vrasjen e 35-vjeçares: Tragjike, mizore, çnjerëzore!

Aktuale November 30, 2022 - 20:38

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pas vrasjes së 35-vjeçares shtatzënë në QKUK, ku dyshohet se autori është ish-bashkëshorti i saj.

Përmes një reagimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Krasniqi ka thënë se kjo është një tragjedi.

“Tragjike, mizore, çnjerëzore! Pa fjalë nga krimi në QKUK, ku një burrë dyshohet se ka vrarë ish-gruan e tij shtatzënë. Ngushëllimet më të thella familjes për humbjen e familjares së tyre”, ka shkruar Krasniqi ndër të tjerash, përcjell “Zeri.info”.

Ai iu ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të gjejnë dhe të kapin autorin.

“Megjithëse është vështirë të gjendet dënim që shpaguan këtë krim makabër, ftoj organet e drejtësisë të reagojnë me tërë fuqinë dhe kompetencën e tyre ndaj autorit. E kam thënë ditë më parë, po e përsëris edhe sonte: dhuna me bazë gjinore është alarm urgjent për të gjitha institucionet e shtetit. Duhet të veprohet sot. Shpejtë. Pa kompromis!”, është shprehur Krasniqi. /Zëri