Emisari slloven për Ballkanin: Në dialogun Kosovë – Serbi është i nevojshëm mendimi strategjik

Emisari slloven për Ballkanin: Në dialogun Kosovë – Serbi është i nevojshëm mendimi strategjik

Aktuale November 30, 2022 - 18:36

Anzhej Frangesh, i dërguari i Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, ka thënë se shteti i tij e mbështet plotësisht Bashkimin Evropian për ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Ai, në një intervistë për Klankosova.tv, ka bërë thirrje që Prishtina dhe Beogradi të japin maksimumin në këtë proces.

“Unë jam i dërguari slloven për Ballkanin Perëndimor, pa përfshirje të drejtpërdrejtë në procesin e lehtësimit. Dialogu Prishtinë-Beograd udhëhiqet nga BE-ja dhe pikërisht kështu duhet të jetë. Ky proces nuk ka alternativë, dhe të dyja palët duhet të angazhohen plotësisht dhe të mbesin të përkushtuara për arritjen e rezultateve”, ka thënë Frangesh.

“Sllovenia po bën maksimumin për të mbështetur përpjekjet e të dërguarit të BE-së, Mirosllav Lajçak, dhe ekipit të tij. E njëjta gjë vlen edhe për të gjithë të dërguarit specialë dhe ne të gjithë bashkërendojmë përpjekjet tona në mënyrë që BE-ja të jetë e suksesshme në misionin e saj. Ne besojmë plotësisht në aftësinë e ekipit të BE-së për të drejtuar procesin dhe për të arritur rezultatet e nevojshme.

Frangesh ka deklaruar se dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është vendimtar për stabilitetin rajonal.

Mes tjerash, ai ka theksuar se duhet të punohet që të mos ketë tensione dhe të shkohet para.

“Procesi shpesh ndikohet nga realitetet politike, qoftë nga dy vendet e përfshira apo tjetërkund në Evropë apo në botë. Duket se si palët ashtu edhe ndërmjetësuesit më shpesh po merren me çështjet e zbatimit dhe tensionet në terren. Kjo është e kuptueshme, pasi nuk ka asnjë platformë tjetër përveç dialogut për të adresuar probleme të tilla. Kështu ishte në vitin 2011 dhe është edhe sot”, ka pohuar Frangesh.

“Jemi të kënaqur që kohët e fundit janë trajtuar disa çështje serioze dhe shpresojmë se politika e hapave të vegjël do të çojë në zgjidhjen e çështjeve kryesore. Përparimi i vazhdueshëm është thelbësor pasi njerëzit po përballen me shumë vështirësi në jetën e tyre të përditshme. Është e rëndësishme të punohet vazhdimisht për të minimizuar tensionet dhe për të parandaluar përshkallëzimin. Megjithatë, është i nevojshëm mendimi strategjik”.