Kryetari i Komunës së Preshevës ngre flamurin kuqezi çdo vit më 28 nëntor: Gjoba ka shkuar 10 mijë euro

Kryetari i Komunës së Preshevës ngre flamurin kuqezi çdo vit më 28 nëntor: Gjoba ka shkuar 10 mijë euro

Aktuale November 29, 2022 - 16:13

110-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë është festuar edhe në Luginën e Preshevës.

Shqiprim Arifi, kryetar i Komunës së Preshevës, foli sot për A2 CNN duke u shprehur se prej gjashtë vitesh ai e ngre flamurin shqiptar në godinën e komunës edhe pse kjo gjë është ndaluar.

Arifi tregon se këtë veprim është ndëshkuar me rreth 10 mijë euro gjoba, por thekson se do të vazhdojë ta bëjë edhe në vazhdim një gjë të tillë.

“Prej 6 vitesh, unë e vendos flamurin shqiptar më 28 nëntor në godinën tonë të administratës. Në këtë kontekst janë të mësuara dhe autoritetet serbe, por gjithsesi është një sfidë për Serbinë sesi na trajton. Cdo vit, autoritetet serbe, nëpërmjet shërbimeve të tyre policore dhe sekrete, kanë vëzhguar nga distanca administratën edhe pse për ne është normale”, tha ai.

“Gjithsesi, unë mendoj që ne shqiptarët në Luginën e Preshevës jemi një sfidë e pandërprerë për serbët sepse nëpërmjet nesh pasqyrohet mentaliteti dhe brendësia e tyre e vërtetë në kuadër të këtij procesi për ta integruar këtë rajon në BE”, u shpreh Arifi.

Por çfarë ndodh pasi Arifi vendos flamurin në institucion?

“Përveç shikimeve nuk pati asnjë reagim. Kanë qenë autoritetet policore që na kanë vëzhguar. Shikimet tani procedohen. Prokuroria ka marrë raportin e policisë dhe tani ka filluar me siguri një procedurë ligjore ndaj meje dhe përfundon afërsisht pas 6 apo 9 muajsh me një gjobë ndaj meje. Unë këtë e paguaj prej 6 vitesh. Janë bërë rreth 7 deri në 10 mijë euro gjoba”, tha ai.

Por si është të festosh pavarësinë dhe çlirimin e Shqipërisë në një vend që zyrtarisht është në juridiksionin e Serbisë?

“Nuk ka mundësi që të na ndalojnë ne festën, gëzimin që ne jemi shqiptarë. Gëzohemi si çdo shqiptar në të gjithë botën edhe në Luginën e Preshevës. Atë e di edhe Serbia që nuk mund ta bëjë. Dita e djeshme ka qenë në një atmosferë festive në shtëpi, ndërsa kemi pasur edhe aktivitete institucionale. Shpirtin edhe zemrën nuk mund të na e mbyllin. Në një ditë brenda vitit ndjehemi si një Shqipëri e madhe”, u shpreh Arifi.