Kërcënime me vdekje për gazetarët serbë që shkruan për Kosovën e Ukrainën

Kërcënime me vdekje për gazetarët serbë që shkruan për Kosovën e Ukrainën

Aktuale November 29, 2022 - 15:57

Gazeta “Danas”, në Serbi, është vënë nën mbrojtje të policisë, pasi është kërcënuar se do ta ketë fatin e njëjtë sikurse revista satirike franceze, Charlie Hebdo, disa gazetarë të së cilës janë vrarë nga një sulm i ekstremistëve islamistë në vitin 2015.

Pas pranimit të një emaili kërcënues, redaksia e “Danas”, në Serbi është gati e zbrazët. Shumica e stafit punon nga shtëpia. “Gazetarët dhe kolumnistët tuaj janë në rrezik të vrasjes nga disa struktura të ekstremit të djathtë, që veprojnë në hije. Kur breshëria e plumbave të nisë befas dhe të bjerë mbi kokat tuaja, ju do të vetëdijesoheni dhe do të kuptoni gjithçka”, thuhet në emailin anonim.

Kryeredaktori i “Danasit”, Dragoljub Petroviq thotë se kërcënimet e nacionalistëve të ekstremit të djathtë lidhen me mbulimin e luftës në Ukrainë dhe të marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën. “Janë disa etiketa klasike që na ngjiten: se jemi patriotë të pamjaftueshëm, se jemi tradhtarë. Ne ua ofrojmë mundësinë të gjithëve ta thonë atë që mendojnë. Dhe njerëzit, thjeshtë, nuk kanë njohuri të mjaftueshme mediatike për të kuptuar se nëse publikon një intervistë me kryeministrin e Kosovë Albin Kurti, nuk do të thotë se je tradhtar, por gazetar”, ka theksuar ai.

Ata janë kritikuar edhe për mënyrën e mbulimit të luftës në Ukrainë. “Më duket se janë zgjuar disa djathtistë, disa ‘patriotë të mëdhenj’ dhe disa rusofilë, putinofil do të thosha … Ka një valë zemërimi me artikujt tanë”, ka theksuar Petroviq.

Së voni një anëtar i partisë së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ka kritikuar disa raportime, në një fjalim të mbajtur në Kuvendin e Serbisë.

“Këto ditë po bëhet një luftë e posaçme hibride dhe qëllimi është t’i bëhet presion Serbisë për të njohur shtetin e rremë të Kosovës dhe për t’i vendosur sanksione Rusisë”, ka theksuar ai.

Autoritetet serbe kanë refuzuar të ju bashkohen sanksioneve të perëndimit kundër Rusisë. / REL