Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar kërkon nga shteti hetim urgjent për rastin e trevjeçares në Gjilan

Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar kërkon nga shteti hetim urgjent për rastin e trevjeçares në Gjilan

Aktuale November 28, 2022 - 14:36

Dje në media u publikuan audioincizimet, ku dëgjohej logopedi Iljasa Fazliu duke ushtruar dhunë psikike ndaj një trevjeçareje me autizëm.

Për këtë ka reaguar Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar, që thotë se janë të shqetësuar dhe tronditur në këtë rast, raporton Zeri.info.

“Jemi thellësisht të shqetësuar me atë çfarë ka ndodhur me të miturën, ku shahet dhe ofendohet nga lokopedi Fazliu dhe stafi i tij. Gjuha, sjellja dhe abuzimi verbal ndaj vogëlushës na lë të dyshojmë se i njëjti logoped mund të ketë abzuar edhe me fëmijë të tjerë, të cilët prindërit apo kujdestarët ligjorë i kanë dërguar në mjekim te logopedi Fazliu dhe të stafi i kësaj ordinance”, thuhet në komunikatë.

Ky forum ka kërkuar nga organet e drejtësisë që në mënyrë urgjente të trajtohet dhe hetohet ky rast.

“Ne kërkojmë nga institucionet e shetiti tonë që në mënyrë urgjente ta trajtojnë këtë rast dhe të hetojnë rrënjësisht se çfarë ka ndodhur me vogëlushen 3-vjeçare, por edhe me të gjithë pacientët e tjerë në veçanti ata me aftësi të kufizuar. Të drejtat e fëmijëve dhe në mënyrë të veçantë të fëmijëve me aftësi të kufizuara duhet t’u garantohet zhvillimi personal, si; mirëqenia, mbrojtja nga lëndimet dhe e drejta për mbrojtje. Në këtë rast institucionet tona nuk kanë arritur të garantojnë sigurinë dhe mirëqenien e fëmijës me autizëm”, thuhet ndër të tjera.

Në komunikatë thuhet se ajo çka është më së shumti shqetësuese janë pasojat emocionale që i janë shkaktuar trevjeçares nga ky rast.

“Ne jemi shumë të brengosur për torturat psiqike dhe emocionale që i janë shkaktuar 3-vjeçares nga logopedi dhe pasojat që mund ta rëndojnë gjendjen e saj dhe të familjarëve, gjithashtu. Në të gjitha ligjet dhe vendimet juridike, mirëqënia e fëmijës është parësore, prandaj shteti është përgjegjës për mbrojtjen e fëmijëve nga abuzimet”. /Zëri