KQZ-ja certifikon kandidatët për kryetarë në katër komunat veriore

KQZ-ja certifikon kandidatët për kryetarë në katër komunat veriore

Aktuale November 28, 2022 - 11:44

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve këtë të hënë pritet të certifikojë kandidatët për kryetarë të katër komunave për zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat do të mbahen më 18 dhjetor në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok. Njoftimin nga KQZ-ja për mbledhjen e sotme e ka dhënë zëdhënësi Valmir Elezi.

“Sot (e hënë, 28 nëntor, ora 13:00) KQZ mban mbledhjen e radhës. Në rend të ditës është certifikimi i kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave”, ka thënë Elezi.

“Po ashtu, në kuadër të përgatitjeve për organizimin e këtyre zgjedhjeve, në rend të ditës është edhe emërimi i Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 18 dhjetorit”, përfundon komunikata.

Zgjedhjet në këto katër komuna po mbahen pasi Lista Serbe vendosi të largojë kryetarët në këto komuna, për arsyeje se Qeveria e Kosovës vendosi të zbatojë vendimin e sekuencuar për targa. Vendimi tashmë është shtyrë dhe më nuk ka as qortime as gjoba për shoferët me targa KM, por ligjërisht dorëheqja e mandateve nënkupton zgjedhje të reja komunale.

Më 26 nëntor, KQZ-ja kishte njoftuar se të shtunën ka filluar periudha e aplikimit për regjistrim për votim jashtë Kosovës.

Kurse, më 25 nëntor, një ditë më parë KQZ, kishte bërë të ditur se janë gjashtë subjekte politike, të cilat kanë paraqitur aplikimet e tyre për pjesëmarrje në zgjedhjet për kryetar të katër komunave në Veri, të cilat do të mbahen me 18 dhjetor.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media kishte treguar partitë politike të cilat do të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë.

“Iniciativa qytetare Mitrovica ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut. Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar emrat e katër kandidatëve për certifikim për zgjedhjet e katër komunave. Partia e Serbëve të Kosovës (Partia Kosovskih Srba) ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Leposaviqit”.

Sipas afateve të miratuara nga KQZ-ja, procesi i vendimmarrjes për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve do të zhvillohet deri më 28 nëntor. /albanianpost