Kurti: S’është marrëveshje për targat, por dakordim - ne s’ndërruam qëndrim, Borrelli ndryshoi deklaratë
Foto: Laura Hasani

Kurti: S’është marrëveshje për targat, por dakordim - ne s’ndërruam qëndrim, Borrelli ndryshoi deklaratë

Aktuale November 24, 2022 - 11:57

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka folur rreth marrëveshjes së arritur mbrëmë në Bruksel.

Në fjalën e tij, kryeministri Albin Kurti ka thënë se kjo nuk është marrëveshje, por është dakordim, raporton “Zeri.info”.

Sipas Kurtit, Kosova nuk ka ndërruar qëndrim, por është shefi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Fqinjësi të Mirë, Josep Borrell, ai i cili ka ndryshuar deklaratë.

Kurti ka thënë po ashtu se kushdo që thotë se është nënshkruar një dokument i njëjtë sikurse ai që i është ofruar të hënën atij në Bruksel, e ka gabim, pasi siç u shpreh Kurti, të hënën nuk ka qenë i njëjti dokument, raporton “Zeri.info”.

Më poshtë ju sjellim një pjesë të fjalimit të Kurtit para deputetëve:

Nuk arritëm marrëveshje për targat, por dakordim.... Qëllimi ynë ishte që propozimi franko-gjerman për normalizim, përveç një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme ndërkombëtare, të bëhet çështja e bisedimeve në Bruksel drejt arritjes së një dakordimi, i cili shtetit tonë që është normal e demokratik ia bashkëngjit edhe një raport që është normal e demokratik me Serbinë, fqinjin tonë verior. Ishte vetë deklarata e Borrellit, se një gjë e tillë nuk ishte e përfshirë në diskutimet e ditës së hënë. Tash ajo figuron e qartë në paragrafin e parë, kjo nuk ka qenë të hënën, i cili më është ofruar mua në fund. Besoj se Kjo është një arritje e madhe, sepse për herë të parë procesi i dialogut hyn në një fazë të dialogut mbi kornizën e përgjithshme që do të jetë ligjërisht e obligueshme e që do t’i zgjidhë problemet fondamentale nga prizmi i së drejtës ndërkombëtare. Më 18 gusht zotëri Borrell ka bërë një kontribut.

Mendoj se data 18 gusht është data më e rëndësishme në këto dy vjet sa i përket procesit të dialogut, pika e parë korniza e përgjithshme, pika e dytë çështjet aktuale. Ne nuk mund ta evitojmë çështjen e dytë, çështjet aktuale edhe pse nganjëherë janë teknike, sepse lihen me paqen dhe sigurinë. Njëmend çështja e targave është çështje teknike administrative, unë plotësisht pajtohem, por në anën tjetër duhet ta pranoj që në shtator të vitit të kaluar edhe ne kemi filluar të mos e trajtojmë vetëm çështje teknike, prej momentit kur ambasadori rus në Beograd erdhi në Jarinjë e Bërnjak.. tash kjo njëmend është për targa edhe targat janë teknike, mirëpo pasojat janë edhe më shumë se politike. Prandaj unë jam deklaruar që pika e dytë në dialog të jetë çështjet aktuale. Ndërkaq e para ka qenë korniza e përgjithshme e marrëveshjes. Kjo është e rëndësishme që të fillojmë me kornizën e përgjithshme të marrëveshjes. Të hënën në mbrëmje mua më është ofruar një dokument si dakordim i përbashkët, i cili ka pasur 95 fjalë dhe fjalët e Francës dhe Gjermanisë nuk kanë qenë askund dhe nuk i referohen propozimit franko-gjerman, ose siç po i thuhet tash propozimi i BE-së, përveç çështjes së targave te çështja e këtij propozimi. Pra nuk thuhet propozimi, por do të thuhet do të zgjidhjet çështja e targave sipas atij propozimi pa thënë propozimi-franko gjerman. 95 fjalë. Ndërkaq kjo që është dakorduar mbrëmë i ka 194 fjalë. Janë krejtësisht të ndryshme. Tash ata që thonë që ajo çka nuk është pranuar të hënën, është pranuar të mërkurën, nuk e dinë për çka po flasin. Është dyfish tekst më i madh ky i mbrëmshëm. Është dakordim, nuk është marrëveshje. Ajo çka është bërë mbrëmë është deklaratë e Borrellit, ne nuk kemi ndryshuar qëndrim, Borrelli ka ndryshuar deklaratë. Marrëveshja e mbrëmshme nuk është marrëveshje për targat. Ne u morëm vesh që t’i ndalojmë veprimet në mënyrë reciproke, pra nuk do të bëjmë gjobitje për targat KM dhe do t’i japim hapësirë negocimit të propozimit franko-gjerman, që tash po quhet propozim i BE-së. Po e quaj evropian se më datën 11 nëntor kur e kom takuar Borrellin në Francë, kur unë i thashë propozimi franko-gjerman, ai reagoi ashpër duke thënë që është propozim i BE-së. Unë i thashë në rregull dhe i kërkova falje dhe i thashë që tash e tutje do ta quajmë propozim evropian me mbështetje të Francës dhe Gjermanisë. Mirëpo të hënën unë e pashë që në fakt është franko-gjerman. Se po të ishte propozim i BE-së ai nuk do ta braktiste aq kollaj....

Ne dëshirojmë që të krijojmë një masë elementare mirëbesimi për t’i dhënë shans dialogut me shpejtësi dhe ai duhet të fillojë brenda disa ditësh. Në paragrafin e parafundit thuhet që në ditët në vijim dhe është shumë mirë që tash gjithçka është përshpejtuar. Unë e di që kam pasur kërkesa nga zotëri Lajçak për 12, nga Escobari për 10 muaj, mirëpo kjo po bëhet dhe do të bëhet edhe më shpejt. Dhe qëndrimi ynë doli të jetë i drejtë, ajo qendra në Rashkë nuk lëshon më targa KM, s’ka nevojë 12, pse 12 muaj. Kjo është mirë për Kosovën, por edhe për marrëdhëniet me fqinjin tonë verior. Ne e kemi shpallur pavarësinë nga Serbia dhe ajo përfiton nga kjo dhe jo vetëm ne....

Pjesa e targave në marrëveshjen e mbrëmshme nënkupton që Qeveria nuk lëshon dhe regjistron targa të reja, ajo është e qartë në tekst dhe gradualisht dhe targat e paligjshme do të nxirren nga përdorimi sipas një mekanizmi të tillë. Ne arritëm ta zbatojmë parimin e reciprocitetit të marrëveshjes që u bë deklaratë e Borrellit, por theksojmë se ajo është vlefshme deri në përfundimit e negocimit të dokumentit franko-gjerman. Kur të kryhet ky negocim, atëherë skadon edhe afati i këtij dakordimi. Dakordimi i mbrëmshëm ka një target kryesor dhe kohor për negocimin dhe pajtueshmërinë e palëve lidhur me propozimin e BE-së të mbështetur nga Franca dhe Gjermania dhe ajo është sa më shpejt dhe jo më vonë sesa pranvera e vitit 2023. Marrëveshja, e cila duhet të arrihet, është se duhet të jetë ligjërisht e obligueshme, por edhe ndërkombëtarisht e obligueshme. /Zëri