Osmani preti në takim një grup të grave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian

Osmani preti në takim një grup të grave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian

Aktuale November 15, 2022 - 19:31

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim një grup të grave nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, të shoqëruara nga përfaqësuese të qendrës Concordia në Prizren.

Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani u informua rreth punës dhe projekteve të qendrës Concordia, e cila është e fokusuar në përkrahje të fëmijëve dhe grave nga komunitetet e margjinalizuara në Kosovë.

“Qendra punon kryesisht me pjesëtarë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Presidentja u informua edhe me fushëveprimin e organizatës në përkrahje të fëmijëve dhe grave të këtyre komuniteteve përmes shërbimeve të ndryshme psiko-sociale dhe edukative”, thuhet në njoftim.

Osmani ka ritheksuar përkushtimin e saj të palëkundur dhe të Presidencës së Republikës në mbështetje të komuniteteve të margjinalizuara, me theks të veçantë fëmijët dhe gratë, duke përmendur rëndësinë e një shoqërie me mundësi të barabarta për të gjithë. /Zëri