Qeveria njofton rreth takimit të Bislimit me Lajçakun, thotë se u diskutua edhe për targat

Qeveria njofton rreth takimit të Bislimit me Lajçakun, thotë se u diskutua edhe për targat

Aktuale November 15, 2022 - 19:21

Qeveria e Kosovës ka njoftuar rreth takimit që sot në Bruksel ka zhvilluar zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Përmes një njoftimi për medie, Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se në këtë takim Bislimi u diskutua rreth rrugës përpara në procesin e dialogut si dhe rëndësinë e fokusimit të bisedimeve në normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan “Zeri.info”.

“Në këtë takim, u diskutua mbi rrugën përpara në procesin e dialogut. Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi rëndësinë e fokusimit të bisedimeve në normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se nuk duhet të lejojmë shpërqendrime të qëllimshme nga bisedimet për normalizimin e plotë nga veprime që synojnë përshkallëzimin në terren”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, bëhet e ditur se Bislimi ka theksuar se Kosova është e interesuar për takime të rregullta në kuadër të dialogut me Serbinë dhe që kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër.

“Kosova mbetet e përkushtuar ndaj dialogut parimor dhe jemi të interesuar të ndërtojmë marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët tanë. Zëvendëskryeministri Bislimi përsëriti interesimin e Kosovës për të vazhduar me takime të rregullta në Bruksel, për elementet e normalizimit të plotë të marrëdhënieve, me njohjen reciproke në qendër”, bën të ditur Qeveria e Kosovës.

Sipas Qeverisë, Bislimi dhe Lajçaku në këtë takim kanë diskutuar edhe për opsionet për konvertimin e suksesshëm të të gjitha targave ilegale, në ato legale. /Zëri