I padituri thotë se asnjëherë s’e ka shitur parcelën kontestuese në Çagllavicë dhe s’ka marrë asnjë cent nga ajo

I padituri thotë se asnjëherë s’e ka shitur parcelën kontestuese në Çagllavicë dhe s’ka marrë asnjë cent nga ajo

Aktuale November 15, 2022 - 16:44

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Dega në Graçanicë, J.M. është dëgjuar në cilësi të të paditurit, ku ka deklaruar se asnjëherë nuk e ka shitur parcelën kontestuese në Çagllavicë dhe nuk ka marrë asnjë cent nga ajo.

Këtë deklarim, i padituri e bëri në seancën e së martës, në rastin ku i njëjti është paditur nga M.Xh. për vërtetim të pronës në vlerë qindra mijëra euro në Çagllavicë.

I pyetur nga gjykatësja Ljiljana Maksimoviq Ziviq se si kishte kaluar kjo pronë në emër të M.Xh., pasi që sipas tij ajo nuk është shitur, i padituri u përgjigj se M.Xh i kishte thënë se ai do t’ia kryente çështjen në kadastër nëse do t’ia falte 5 ari tokë.

Lidhur me këtë, M. tha se familja e tij ishte pajtuar me këtë, ashtu që pas dy ditëve M.Xh kishte shkuar përsëri tek ata, duke kërkuar edhe 3 ari për gjykatësin dhe 2 ari për zyrtarin që punon në Prishtinë, duke iu thënë se nëse nuk ua jep këto, vëllai i tij tanimë i ndjerë do t’ua marrë të gjitha.

I padituri shtoi se në shkurt të vitit 2009, paditësi e kishte telefonuar duke i thënë që mos t’ia kërkojë tokën, pasi që toka është e tij, gjykata dhe policia janë të tij, e pas kësaj tha se ka angazhuar një avokat me të cilin më pas kishte shkuar në EULEX e UNMIK.

Tutje, M. ka thënë se paditësi më pas e kishte kaluar parcelën në emër të tij dhe se për këtë e kishte njoftuar një shok i tij, i cili njihet me emrin H. në kadastër duke i thënë se M.Xh tokën e ka ndarë në 11 parcela.

I pyetur nga përfaqësuesi i palës së paditur, avokati Ahmet Gjinovci se a i kishte dhënë ndonjëherë të holla paditësit, i padituri u përgjigj se ai ia kishte huazuar 5 mijë euro, të cilat nuk ia kishte kthyer asnjëherë.

Më pas, i njëjti ka sqaruar se ai kishte nënshkruar në gjykatë një shkresë, e cila nuk e kishte ditur se çfarë është.

Sipas tij, prona ka qenë në emër të babait të tij dhe të njëjtën nuk ka mundur ta shes derisa nuk ka qenë në emër të tij.

Ndërsa, në pyetjen e përfaqësuesit të ndërhyrësve, avokatit Bejtush Isufi se a e kishte kryer procedurën e trashëgimisë së babait, i padituri tha se kjo ishte kryer në Gjykatën serbe.

Po ashtu, M. duke u përgjigjur në pyetjen se si ka qenë e mundur që toka të kalojë në emër të djalit të tij derisa prona ka qenë edhe e tij, ai tha se për këtë duhet pyetur paditësin, pasi që ai e ka bërë këtë.

I padituri M. ka pohuar se ai kishte qenë i dënuar me 7 muaj burgim me kusht për çështjen që paditësi kishte qenë i dënuar me 2 vite burgim.

Më pas, i pyetur se a është duke e shfrytëzuar dikush tokën e cila ka masë të përkohshme të sigurisë, që e ndalon shfrytëzimin e saj, M. tha se ai personalisht e punon atë tokë.

Paraprakisht, në këtë seancë, paditësi M.Xh ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë deklaratave të mëhershme, duke kërkuar që të mos të ndryshohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore, i vërtetuar në Prishtinë.

Në anën tjetër, avokati Gjinovci deklaroi se mbetet në tërësi pranë kundërshtimeve nga seancat e kaluara, duke i propozuar gjykatës që kërkesëpadinë e paditësit ta refuzojë si të pabazuar, pasi që sipas tij paditësi nuk ka ofruar asnjë provë bindëse për gjykatën se paluajtshmëritë lëndore i ka blerë nga tani i padituri J.M.

Seanca e radhës lidhur me këtë çështje, u caktua më 17 janar 2023.

Ndryshe, paditësi M.Xh. më 12 shkurt 2008 ka ushtruar padi për vërtetim të pronësisë ndaj të paditurit J.M.

Në padi thuhet se në maj të 2000-ës, Xh. prej tani të ndjerin V.M. ka blerë paluajtshmërinë e cila evidentohet si parcelë kadastrale në Çagllavicë me sipërfaqe prej 0.58 ha dhe 0.23 ha, në çmim prej 200 mijë euro.

Me anë të kësaj padie, Xh. ka kërkuar nga gjykata që të vërtetohet se i njëjti e ka blerë paluajtshmërinë të përshkruar si më lartë, me çmim prej 200 mijë euro, të cilën shumë sipas paditësit e ka paguar dhe ka hyrë në posedim të paluajtshmërive dhe se i shfrytëzon pa pengesë.

Gjykata Komunale në Prishtinë me aktgjykimin e 10 prillit 2008, ka aprovuar kërkesëpadinë e paditësit M.Xh. dhe ka vërtetuar se i njëjti nga i ndjeri V.M. ka blerë patundshmërinë prej 0.23 ha dhe 0.56 ha, në çmim prej 200 mijë marka.

Ndërkaq, pala e paditur, J.M. përmes përfaqësuesit, avokatit Ahmeti Gjinovci më 19 shkurt 2010 ka parashtruar propozim për përsëritjen e procedurës, me arsyetimin se aktgjykimi në fjalë është marrë me veprimet mashtruese të paditësit, i cili e ka sjellë në lajthim të paditurin por edhe gjykatën.

Po ashtu, në këtë propozim është cekur se pala e paditur nuk ka pasur mundësi të deklarohet në atë procedurë dhe se asnjëherë nuk ka pasur qasje në aktgjykimin e lartcekur.

Tutje, Gjykata Themelore në Prishtinë më 17 gusht 2016 ka lejuar propozimin e të paditurit J.M. për përsëritje të procedurës dhe ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Komunale në Prishtinë, të 10 prillit 2008, i cili ishte bërë i formës së prerë më 19 maj 2008.

Ndërkaq, më 4 maj 2018 Gjykata Themelore në Prishtinë – Dega në Graçanicë ka ndërprerë procedurën në këtë çështje ligjore, për faktin se është shuar së vlejturi autorizimi për përfaqësim dhe se pala nuk ka caktuar me autorizim përfaqësuesin tjetër.

Ndaj këtij aktvendimi, është ushtruar ankesë nga pala e paditur për shkak të zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, duke kërkuar që aktvendimi të anulohet dhe çështja të kthehet në gjykatën e shkallës së parë në rivendosje.

Në këto rrethana, Gjykata e Apelit, më 7 dhjetor 2018 ka anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Dega në Graçanicë të 4 majit 2018, për ndërprerjen e procedurës, duke ia kthyer gjykatës së shkallës së parë rastin për vendosje meritore të çështjes sipas padisë së paditësit. /BetimipërDrejtësi