Lirimi nga tatimi në pronë për personat e verbër, gjykata aprovon kërkesëpadinë e paditësit ndaj Ministrisë së Financave

Lirimi nga tatimi në pronë për personat e verbër, gjykata aprovon kërkesëpadinë e paditësit ndaj Ministrisë së Financave

Aktuale November 15, 2022 - 16:33

Departamenti për Çështje Administrative i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka nxjerrë aktgjykim me të cilin ka aprovuar kërkesëpadinë e paditësit M.M dhe ka anuluar vendimin e Ministrisë së Financave, duke e kthyer lëndën në rishqyrtim dhe rivendosje.

Sipas aktgjykimit gjykata ka vendosur të aprovoj padinë e paditësit dhe lëndën ta kthej në rivendosje me qëllim të verifikimit dhe sigurimit të provave shtesë.

Kjo pasi që sipas gjykatës ka rezultuar se e paditura nuk ka aplikuar drejtë dispozitat ligjore në fuqi dhe nuk ka vërtetuar faktet esenciale lidhur me të drejtën e personave të verbër për tu liruar nga tatimi në pronë.

Fillimisht, paditësi M.M  me padinë e paraqitur në gjykatë në prill të vitit 2021, ka iniciuar konfliktin administrative kundër të paditurës Ministria e Financave-Departamenti i Tatimit në Pronë, me të cilën ka kërkuar nga gjykata të anuloj si të kundërligjshëm vendimin e të paditurës si dhe të obligoj të paditurën e dytë Komunën e Prishtinës që paditësit t’i kthej shumën e paguar në emër të tatimit në pronë në vlerë prej 457.70 euro

Me anë të këtij aktgjykimi gjykata ka obliguar Ministrinë e Financave që në rivendosje të shqyrtoj ankesën e paditësit në kuptim të Ligjit për Personat e Verbër, të verifikoj dhe siguroj prova shtesë edhe nga ministria përkatëse lidhur me statusin e paditësit dhe të konstatoi se i njëjti i plotëson kushtet ligjore për tu liruar nga tatimi në pronë.

Paditësi fillimisht i është drejtuar Komunës së Prishtinës me kërkesë për lirim nga tatimi në pronë pasi që i njëjti është i verbër dhe kjo i njihet sipas ligjit për personat e verbër .

Mirëpo duke qenë se Komuna nuk kishte vendosur sipas kërkesës së paditësit i njëjti i është drejtuar organit të shkallës së dytë Ministrisë së Financave me ankesë kundër heshtjes administrative.

Tutje paditësi ishte njoftuar nga Ministria e Financave për nxjerrjen e vendimit të saj me 24 mars 2021, me të cilin ka refuzuar ankesën e paditësit me arsyetimin se në rastin konkret nuk duhet zbatuar neni 6 i Ligjit për të verbër pasi që është në kundërshtim me nenin 41 të  Ligji për Tatimin ne Pronën e Paluajtshme.

Nga ky arsyetim gjykata konstaton se e paditura nuk ka marrë fare parasysh pretendimet e paditësit në bazë të dispozitës së nenit 6 të Ligjit 04/L-092 për personat e verbër. Ku sipas këtij neni peronat e verbër lirohen nga të gjitha taksat dhe tatimet e drejtpërdrejta. Në rast vetëpunësimi ata lirohen nga çdo detyrim fiskal, ndërsa në rast se zhvillojnë veprimtari si persona juridikë ata gëzojnë lehtësira tatimore të cilat i realizojnë sipas ligjeve në fuçi.

Nga interpretimi i kësaj dispozite ligjore gjykata konstaton se e paditura është dashur të respektoj këtë ligj të zbatueshëm në Kosovë.

Në aktgjykimin e  siguruar nga “Betimi për Drejtësi”  gjykata konstaton se e paditura është dashur që të zbatoj drejtë ligjin duke vërtetuar gjendjen e statusit të paditësit me bazën ligjore për lirim nga pagesa e tatimit në pronë për personat e verbër që rregullohet me ligjin në fuçi.

Andaj, ka anuluar vendimin e Departamentit të Tatimit në Pronë-Ministria e Financave e Republikës së Kosovës dhe lëndën ka kthyer në rishqyrtim dhe rivendosje.

Ndryshe, përfaqësuesi i paditësit në vendimin e publikuar mes te tjerash ka theksuar se në rivendosje Ministria e Financave ka zbatuar në përpikëri vendimin e Gjykatës ashtu që ka nxjerrë vendimin me të cilin ka obliguar Komunën e Prishtinës që M.M ta liroj nga detyrimet tatimore për periudhën 2013-2022 dhe për vitet vijuese si dhe të njëjtit t’ia rimbursoj shumën e përgjithshme të tatimit në pronë të paguar që nga hyrja në fuçia e ligjit për të verbër.

“Komuna e Prishtinës ka zbatuar vendimin e Ministrisë së Financave dhe ka nxjerrë vendim për rimbursimin e z. M.M për shumën e paguar të tatimit”, thuhet ne vendimin e publikuar./BetimipërDrejtësi