Tre prokurorë transferohen në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë 

Tre prokurorë transferohen në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë 

Aktuale November 15, 2022 - 15:20

Pas ofrimit të dorëheqjes së prokurorëve të nacionalitetit serb, ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, në bazë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, me qëllim të mbështetjes, funksionimit normal dhe efikas të punës në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, ka marrë vendim për transferimin e jashtëzakonshëm të tre prokurorëve nga prokuroritë e tjera themelore në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës për një periudhë të përkohshme.

“Prokurorët e transferuar do të punojnë në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, i cili është prekur më tepër nga ofrimi i dorëheqjes së prokurorëve të nacionalitetit serb”, ka njoftuar Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

Tutje thuhet se varësisht nga rrethanat, u.d. i kryeprokurori i Shtetit do të veprojë menjëherë në përputhje me ligjin, situatën dhe nevojat e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë. /Zëri