Aktakuzë kundër dy fajdexhinjve në Prizren

Aktakuzë kundër dy fajdexhinjve në Prizren

Aktuale November 15, 2022 - 10:31

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve F.Gj. dhe A.D., nën dyshimin e bazuar se të njëjtët kanë kryer veprat penale “Fajdeja”, nga Neni 331, “Detyrimi”, nga Neni 328, “Asgjësimi ose dëmtimi i pasurisë”, nga Neni 321, si dhe “Fajdeja në ndihmë”, nga Neni 331, paragrafi 1, lidhur me Nenin 33 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, i pandehuri F.Gj., nga data 23.11.2020 në vazhdimësi deri më 02.02.2022, në Prizren, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton një shumë dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit SH.H., raporton Zeri.info.

“Në këtë mënyrë, pasi i dëmtuari ishte në gjendje të rëndë financiare dhe i duheshin të holla për shërimin e djalit të sëmurë, duke e njohur të pandehurin ngase me të njëjtin kanë jetuar më parë në fqinjësi, shkon tek i pandehuri F.Gj., nga i cili merr 1,000 (një mijë) euro të holla, ku me rastin e dhënies së të hollave i pandehuri e paralajmëron se për çdo vonesë duhet të paguajë nga 200 euro kamata mujore, i dëmtuari për 14 (katërmbëdhjetë) muaj rresht vazhdon të paguajë nga 200 euro kamata mujore, duke i dhënë në total 2.800 euro të pandehurit. Mirëpo më datën 24.01.2022, kur i dëmtuari nuk arrin t’ia japë të hollat, i pandehuri e paralajmëron se përveç 1000 eurove të borxhit dhe 200 eurove në emër të kamatës së muajit janar 2022, për çdo vonesë i dëmtuari duhet të paguajë kamata ditore nga 20 euro, nga të cilat 1,000 euro i dëmtuari i jep më datën 02.02.2022, ku i pandehuri me paratë e marra arrestohet në flagrancë”, thuhet tutje në njoftim.

Po ashtu, sipas njoftimit, thuhet se me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “Fajdeja”.

“I pandehuri F.Gj. përdor forcën dhe kanosjen serioze në mënyrë permanente ndaj të dëmtuarit SH.H., për ta detyruar këtë të fundit të kryejë veprime në dëm të pasurisë së tij dhe atë duke e sulmuar fizikisht dhe duke e kanosur me qëllim të realizimit të përfitimit. Kur i dëmtuari i përgjigjet se nuk ka arritur t’i sigurojë paratë dhe kërkon kohë shtesë, i njëjti fillon të bërtasë dhe ta shajë të dëmtuarin, më pas ia përplas telefonin përtokë dhe e godet me grusht në pjesën e djathtë ballore dhe gjithashtu me dorezë të briskut e godet në kokë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprat penale ‘Detyrimi’ dhe ‘Asgjësimi ose dëmtimi i pasurisë’, sipas KPRK-së.

Ndërsa i pandehuri A.D., me dashje dhe me qëllim ndihmon në përfitim të kundërligjshëm të pasurisë personin tjetër – të pandehurin F.Gj., kur i pandehuri F.Gj. nuk ishte prezent, atëherë i dëmtuari SH.H. i paguante kamatat tek i pandehuri A.D., në mënyrë që ky i fundit të hollat më pas ia dërgonte të pandehurit F.Gj. Me këto veprime ka kryer veprën penale ‘Fajdeja në ndihmë’, sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Lidhur me këtë rast prokurori i rastit ka kërkuar nga Gjykata të urdhërojë kryerësit e veprave penale për të paguar shumë të barasvlershme për dëmin ndaj të dëmtuarit nga paratë e sekuestruara, ose nga të njëjtit të konfiskohen të hollat e sekuestruara dhe me të njëjtat të kompensohet viktima SH.H. dhe atë të hollat, si një kartëmonedhë letre 200-euroshe, pesëmbëdhjetë kartëmonedha letre nga 100 euro, një kartëmonedhë letre 20, franga zvicerane, një kartëmonedhë letre 10 franga zvicerane, dy monedha metali 1x20 centë dhe 1x10 centë.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit”, thuhet në njoftim. /Zëri