Borrell: Kosova të tregojë fleksibilitet për targa, ta nisë themelimin e Asociacionit
Foto: Laura Hasani

Borrell: Kosova të tregojë fleksibilitet për targa, ta nisë themelimin e Asociacionit

Aktuale November 14, 2022 - 17:54

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka thënë se Kosova duhet të tregojë fleksibilitet për çështjen e targave, ndërsa duhet të nisë punën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në një konferencë për media pas takimit të Këshillit të BE-së, Borrell ka thënë se situata në Kosovë është më e rrezikshmja që nga viti 2013.

“Duhet të ulen tensionet që po arrijnë në nivele të rrezikshme. Mund të themi se jemi duke u përballur me krizën më serioze e të rrezikshme që nga viti 2013, pra në dhjetë vjetët e fundit. Të dyja palët duhet të tregojnë urgjentisht gatishmëri për të ecur para e për të ulur tensionet. Nuk është e pranueshme nga asnjëra palë që të injorojë apo shkellë marrëveshjet e arritura në dialog”, tha Borrell.

Në këtë konferencë, Borrell ka njoftuar se kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, do të jetë në Bruksel sonte për të biseduar për çështjen e targave e çështjet tjera.

Borrell ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që t’i ulin tensionet dhe të gjejnë një zgjidhje për targat para 21 nëntorit.

“Do të nisim takime me kryenegociatorët. Pala kosovare po vjen sonte, jam i gatshëm të bisedojë me liderët, nëse negociatorët arrijnë te një zgjidhje praktike te çështja e targave para 21 nëntorit, që është afati i fundit. Nuk mund të arrijmë këtë datë, pasi do të jemi në situatë të rrezikshme. E dini se tërheqja e serbëve në veri nga Policia, gjyqësori, ka krijuar një vakum. Në këtë vakuum më e keqja mund të ndodh. Mesazhi nga Këshilli është i qartë, dyja palët duhet të tregojnë fleksibilitet, na duhet progres i qartë. Kemi prezantuar një propozim. Falënderojmë Gjermaninë e Francën që kanë përkrahur këtë propozim. Serbët e Kosovës duhet të kthehen në institucione të Kosovës, autoritetet e Kosovës të tregojnë fleksibilitet për targat, e të punojnë në implementimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe pa vonesa”, ka thënë Borrell.

Borrell po ashtu ka bërë sërish thirrje për fillimin e hapave të parë për Asociacionin e Komunave Serbe.

“Serbët e Kosovës duhet të kthehen në institucione, autoritetet e Kosovës duhet të tregojnë fleksibilitet në targa dhe të punojnë në zbatimin pa vonesë të Asocacionit të komunave me shumicë serbe, pa ndonjë vonesë”, ka theksuar Borrell.

Ai ka thënë se BE-ja është e shqetësuar me situatën në Ballkanin Perëndimor dhe ndikimi i luftës së Rusisë në Ukrainë që ka pasur në këtë rajon. Ai ka thënë se Ballkani Perëndimor e ka vendin në BE.