Më 16 nëntor procedohet dokumenti i liberalizimit të vizave për Kosovën

Më 16 nëntor procedohet dokumenti i liberalizimit të vizave për Kosovën

Aktuale November 14, 2022 - 14:59

16 nëntori është data kur Grupi Punues i Komisionit Evropian pritet të takohet për ta proceduar dokumentin për liberalizmin e vizave.

Kështu tha gazetarja Gjeraqina Tuhina, gjatë diskutimit nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur (KFOS), ku u prezantua analiza mbi procesin e liberalizimit të vizave të titulluar “Liberalizimi i vizave për Kosovën: Fillimi i fundit”.

Tuhina tha se nëse nuk do të ketë kundërshtime nga shtetet anëtare, pritet që nga 1 dhjetori i vitit 2023 kosovarët të lëvizin pa viza.

“Kanë tregu përafrim të qëndrimeve të një grupi tjetër të shteteve që kanë insistuar që më gjithë atë kosovarët pavarësisht ETIAS-it ta kenë edhe datën e qartë se kur është momenti i fundit që të nisë liberalizimi i vizave. U gjet një formulim i kompromisit në mes të dy grupeve të shteteve.

Formulimi, i cili përfshin zbatimin e liberalizimit e vizave me ETIAS-in plotësisht operacional, në rast zvarritjeve kosovarët e kanë 1 dhjetorin si afat të fundit kur do ta gëzojnë lirinë e lëvizjes. Tani kjo procedurë është në procedurë të heshtur, kemi edhe dy ditë deri të mërkurën deri në orën 14:00 që shtetet anëtare ta miratojnë këtë tekst. Nëse deri të mërkurën as një shtet nuk ka vërejtje, teksti konsiderohet i miratuar”, tha ajo.