Ministria e Mbrojtjes: FSK-ja s’i nderoi të rënët serbë të vitit 1912

Ministria e Mbrojtjes: FSK-ja s’i nderoi të rënët serbë të vitit 1912

Aktuale November 14, 2022 - 14:50

Ministria e Mbrojtjes ka reaguar në lidhje me lajmin e publikuar nga disa media se Togu i Gardës Ceremoniale ka bërë nderime për të rënët serbë të vitit 1912, për të cilën kanë thënë se nuk është e vërtetë.

Sipas Ministrisë, më datën 11.11.2022, Togu i Gardës Ceremoniale dhe Orkestra Frymore e FSK-së, me ftesë të Ambasadës Franceze dhe Ambasadës Gjermane ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar për të nderuar rënien e ushtarëve francezë dhe gjermanë gjatë Luftës së Parë Botërore, në periudhën 1914-1918.

“Pllakat përkujtimore të të rënëve të këtyre dy kombeve janë të vendosur në një hapësirë të përbashkët me pllakën e të rënëve serbë të vitit 1912-1918, por që si ngjarje në periudhë kohore e as me aktivitetin në fjalë nuk kanë asnjë lidhje.

Theksojmë edhe një herë se Togu i Gardës Ceremoniale ka marrë pjesë si formacion mbështetës i Ambasadës franceze, nën organizimin e tyre, me qëllim nderimin e ushtarëve të rënë francezë dhe gjermanë.

Pozicionimi fizik i gardistëve tanë është imponuar nga pozita e pllakave memoriale dhe platesë përkatëse dhe në asnjë formë nuk nderohen të rënët serbë”, thuhet në reagim.

Tutje thuhet se Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja nderojnë gjithmonë vetëm popujt mbrojtës të vlerave të lirisë, paqes dhe demokracisë dhe assesi ata që kanë qenë faktor destabilizues në secilën etapë dhe autorë të krimeve e terrorit. /Zëri