Borrelli në takim me Kurtin e Vuçiqin, diskutohet situata ne veri dhe kërkon themelimin e Asociacionit

Borrelli në takim me Kurtin e Vuçiqin, diskutohet situata ne veri dhe kërkon themelimin e Asociacionit

Aktuale November 11, 2022 - 16:41

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Joseph Borrell është takuar sot me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Përmes një njoftimi për media, BE-ja thotë se qëllimi i këtij takimi është adresimi i sfidave nga situate kritike në mes Kosovës e Serbisë, kurse në fokus ishte gjetja e zgjidhjeve të nevojshme për krizën në veri, raporton Zeri.info.

Borrelli ka potencuar se është e nevojshme që palët të jenë të angazhuara drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe për të ecur përpara në rrugën evropiane.

BE-ja u ka bërë thirrje zyrtarëve serbë që të kthehen nëpër institucionet e Kosovës, kurse nga Kosova ka kërkuar themelimin e Asociacionit.

“Serbët e Kosovës duhet të kthehen menjëherë në institucionet e Kosovës dhe të rifillojnë detyrat e tyre, dhe Kosova duhet t’i harmonizojë veprimet e saj në targa me marrëveshjet e kaluara të Dialogut dhe të nisë negociatat për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe pa vonesa të mëtejshme. Këto detyrime, të marra në kuadër të Dialogut, mbeten të vlefshme dhe të detyrueshme”, thuhet më tej në njoftim.

Potencohet se pamundësia për të përmbushur detyrimet palët do të përballen me pasoja të rënda.

“Në të njëjtën kohë, Borrelli nënvizoi rëndësinë e të përmbajturit nga çdo veprim i njëanshëm dhe retorikë nxitëse. Me luftën në Ukrainë, Evropa nuk mund të ketë një tjetër konflikt në tokën e saj. Është përgjegjësi e Palëve që ta shmangin këtë për të mirën e njerëzve të tyre, të cilët do të humbasin më shumë nëse sjellja aktuale përshkallëzuese nuk ndryshon. Pamundësia për të përmbushur detyrimet dhe përshkallëzimi i shpejtë do të ketë pasoja të dëmshme para së gjithash për njerëzit në Kosovë dhe Serbi, për të ardhmen evropiane të të dyja palëve dhe besueshmërinë e tyre në sytë e partnerëve evropianë dhe ndërkombëtarë”, thuhet ndër të tjera. /Zëri