Zëvendësministri për ndryshimet në FSK: Kemi mjaftueshëm kapacitete për pranimin e ushtarëve të rinj

Zëvendësministri për ndryshimet në FSK: Kemi mjaftueshëm kapacitete për pranimin e ushtarëve të rinj

Aktuale November 11, 2022 - 16:17

Forca e Sigurisë së Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme për pranimin e rekrutëve të rinj.

Kështu thotë zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla në lidhje me ndryshimet në Ushtrinë e Kosovës ku më s’do të ketë kufizim në numër të pranimit të rekrutëve të rinj teksa të gjithë të rinjtë deri në 25 vjeç kanë të drejtë aplikimi.

Syla thotë se edhe pse s’ka kufizim në pranim, konkurset për pranimin e ushtarëve të rinj nuk ka nevojë të mbahen më shpesh se dy konkurse siç hapen për vit.

“Deri më tani zakonisht kemi mbajtur dy konkurse në vit për pranimin e ushtarëve të rinj. Për shkak të procedurave që ka hapja e konkurseve të rekrutimit, nuk ka nevojë të mbahen më shumë se dy konkurse, por mund të rritet numri i të rekrutuarve”.

“Kjo rritje gjithmonë bëhet në bazë të planifikimeve vjetore në funksion të procesit të realizimit të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit për zhvillimin aftësive dhe kapaciteteve të plota të FSK-së për përmbushjen e detyrave ligjore dhe misionit kushtetues”, thotë zëvendësministri.

Me ndryshimet në FSK për rekrutët e rinj, Syla bën të ditur se janë në proces të zgjerimit edhe të kapaciteteve tjera.

“Në bazë të planifikimit të rekrutimit, ne paraprakisht kemi zhvilluar dhe jemi në proces të zgjerimit të kapaciteteve njerëzore trajnuese dhe kapaciteteve infrastrukturore të FSK-së”, thekson ai.

Syla thotë se vendimi i ri për heqjen e kufizimit të moshës për rekrutët e rinj nuk është i vonuar.

“Jo, nuk është vonuar sepse FSK-ja nuk ka pasur mungesë të aplikuesve për t’u bërë ushtarë të FSK-së. Por ndryshimi i kufizimit të moshës zgjeron mundësinë e të rinjve dhe të rejave të vendit tonë të interesuara për të aplikuar në FSK”, thotë Syla.

Mes tjerash, Syla thotë se për të rritur numrin e aplikuesve është bërë edhe ndryshimi i moshës deri në 25 vjeç për t’ju bashkuar FSK-së.

“Rritja e moshës vetvetiu rrit mundësinë e aplikimit të një numri edhe më të madh të aplikuesve. Sigurisht se presim rritje të numrit të aplikuesve dhe pikërisht ky ishte qëllimi i plotësim ndryshimit të Ligjit për Shërbim në FSK”, deklaroi Syla për Klankosova.tv.Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, tha se ky grup është i veçantë teksa u bëri thirrje të gjithë të rinjve që t’i bashkohen FSK-së në konkursin e radhës që do ta hapet më 28 nëntor./klankosova