Abazi: I propozova Kurtit të ndihmoja për takime në SHBA, por më refuzoi
Foto: Laura Hasani

Abazi: I propozova Kurtit të ndihmoja për takime në SHBA, por më refuzoi

Aktuale November 11, 2022 - 11:41

Deputeti i LVV-së, Haki Abazi ka mbajtur sot konferencën e përjavshme, ku sot ka folur për kërkesat e aleatëve dhe largimi i serbëve nga institucionet e republikës së Kosovës, domosdoshmëria e dialogut për unitet politik dhe energjia dhe kriza.

Abazi ka përmendur se i kishte propozuar kryeministrit Kurti që të ndihmonte në përgatitjen e strategjisë dhe takimeve në SHBA dhe forcimin e qartësisë, duke përdorur përvojën e tij 20-vjeçare të punës me institucionet e SHBA-së, por që kjo ofertë ishte refuzuar.

“Jam i bindur që po të jetësohej ajo strategji, sot, do të kishim një rezultat krejt tjetër prej asaj çfarë po e shohim këto ditë”, ka thënë Abazi.

Fjala e plotë e Abazit në konferencë:

Konferenca për media sot:

Kërkesat e aleatëve dhe largimi i serbëve nga institucionet e republikës së Kosovës.

Domosdoshmëria e dialogut për unitet politik.

Energjia dhe kriza.

I. Procesi 10 vjeçar i dialogimit mes Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga BE rezultoi në krijimin e rrethanave të krizave në terren, si dhe në vend të normalizimit të marrëdhënieve, sot kemi krizë me potencial shpërthimi.

Në zbatimin e kërkesave sidomos të atyre që janë pjesë e marrëveshjeve të arritura, siç është puna e targave dhe energjisë, pikërisht në zbatimin e këtyre marrëveshjeve u gjet djalli. Partnerët tanë sidomos BE dhe SHBA kanë kërkuar që të shtyhet zbatimi i marrëveshjes për targat për 10 muaj dhe të zbatohet marrëveshja për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Siç thotë populli “ne ujkun në torishtë e kemi tanimë“, e qartë kush e ka sjellur, kjo është bërë në kohë dhe rrethana të vështira e shumë të dyshimta, nga ata qe nuk jane në politike, por ja që marrja e përgjegjësisë politike për të udhëhequr me vendin, poashtu vije duke trashëguar edhe marrëveshjet e arritura dhe në këtë rast edhe marrëveshjet e Brukselit. Po, e drejtë është që Serbia nuk po zbaton marrëveshjen për energjinë, as për targat, e as edhe marrëveshjet tjera. Por, partnerët dhe aleatët tanë po kërkojnë pa asnjë ekuivoke që të kryejmë obligimet e nënshkruara nga Kosova qe Serbia te mos kete justifikim. E drejtë ose jo, kjo nuk është çështja kryesore e as ajo qe eshte ne favorin tone. Alarmi ngritet, e problem që shtrohet si çështje është rëndësia dhe pesha e marrëdhënieve me aleatët dhe partnerët ndërkombëtar. Kjo situatë ka ardhë si pasojë e degradimit të pozitës dhe fuqisë negociuese të shtetit tonë dhe kornizimit të gabuar të dialogut që nga fillimi.

Që nga fillimi i mandatit të kësaj qeverie kam ofruar perkrahjen eparezerve tek kryeminstri për marrëdhëniet me SHBA dhe poashtu kam komentuar dhe ofruar ekspertizën time për negociatat dhe marredheniet e me BE dhe shtetet individuale- kam realizuar me shume sukses kontakte dhe angazhim konkrete ne agjenden epoltikes se jashtme. Por edhe per SHBA dhe Per Evrope ne të dyja rastet jane refuzuar refuzuar. Nuk e kuptoj aresyjen sidoms pas nagthesise ne poltikene jashtme. Në momentin kur Lajçak ka krijuar një platformë ku janë përfshirë deputetë të pozitës, të cilët kanë udhëtuar për në Finland, qeveria disa herë e ka pasur të kjartë që arsye për këtë lloj intervenimi është se Kosovës do t'i vijnë ditë të vështira dhe duhet të ketë zëra pranues e perkrahes të planit të lehtësuesit. Kjo ka qenë e qartë dhe kjo gjë është përgaditur për një kohë të gjatë, duke i pergaditur per te mos thene keq informuar edhe faktorët e rëndësishëm ndërkombëtar. Qasja e mekur në politikën e jashtme dhe format e izoluara të përgaditjes së terrenit per suksese diplomatike, kanë rezultuar në qëndrime të ashpra sa i përketë veprimeve të Qeverisë së Kosovës.

Unë i kisha propozuar Kryeministrit Kurti që të ndihmoja në përgaditjen e strategjisë dhe takimeve në SHBA dhe forcimin e qartësisë, duke përdorur përvojën time 20 vjeçare të punës me institucionet e SHBA-ve. Edhe kjo ofertë ishte refuzuar. Jam i bindur që po të jetësohej ajo strategji, sot, do të kishim një rezultat krejt tjetër prej asaj çfarë po e shohim këto ditë.

Është urgjente, është absolutisht urgjente që t'i kthehemi tavolinës së dizajnimit të politikës së jashtme dhe qëndrimeve mirë të analizuara për të rikthyer marrëdhëniet dhe për të arritur objektivat tona ne interes të shtetit dhe qytetarëve. Unë jam i gatshëm për një angazhim të tillë, jam i bindur që ka edhe të tjerë përfshirë edhe nga opozita. Nuk është as momenti e as gjëja e duhur që të mbetemi në sipërfaqe të problemit që është tanimë prezent dhe duhet thelluar duke kërkuar zgjidhje dhe tejkalim të situatës. Kjo është shumë urgjente dhe e dosmodoshme. Në fund të fundit, ky është arti i politikës që e bënë të mundur zgjidhjen edhe atëherë kur duket e pamundur. Duhet fokusuar në çështjet madhore dhe strategjike. Duhet krijuar kushte për ratifikimin dhe jetësimin e marrëveshjeve të arritura në Berlin. Kjo është rruga e vetme drejtë prosperitetit dhe forcimit të partneritetit demokratik në rajon.

Largimi i serbëve nga institucionet e Republikës së Kosovës është karta dhe çelësi i Serbisë për të rrëzuar nivelin e zbatueshmërisë së marrëveshjeve të Berlinit, si dhe për të mbajtur minimumin e presionit ndërkombëtar për mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Është dashur më pak se një javë pas Samitit në Berlin, për të kuptuar që Open Balkans ishte korniza e status-quos që i konvenonte vetëm Serbisë. Në momentet e dinamizimit të Procesit të Berlinit, Serbia shpërfaqi nervozizmin e saj duke u gjendur në rrethin e barabartë me të gjitha vendet, përfshirë Kosovën që kanë përcaktuar qartë kursin e tyre Evropian, dhe kanë dënuar e kanë vënë sanksionet kundër Rusisë.

Natyrisht që pritej që Serbia të reagonte me një sabotim dhe justifikim për të blerë kohë dhe për të mos lejuar që kjo agjendë Evropiane për Ballkanin të jetësohet.

Serbia e ka të qartë që ecja progesive zhvillimore e Ballkanit do të thotë faktorizim i shqiptarëve dhe zvogëlim i dominancës Serbe në Ballkan. Këtë gjë duhet t'a kuptojnë edhe partnerët ndërkombëtar dhe ne duhet që mos të humbasim fokusin duke u marrë me gjëra të vogla dhe më pak të rëndësishme, por siç e thashë edhe më lartë kjo kërkon analizë gjithpërfshirëse dhe përvojë dhe ekspertizë ekipore. Uroj që kjo të bëhet shpejtë duke reflektuar dhe duke i marrë për bazë edhe qëndrimet dhe kërkesat e partnerëve dhe aleatëve tonë.

II. Natyrshëm, po kaloj në çështjen e dytë. Një nga objektivat kryesore të Rusisë dhe partneritetit me shtet siç është Serbia është destabilizimi ekonomik dhe politik i vendeve të BE-së dhe vendeve ku demokracia është pranuar sistem qeverisës pas shembjes së murit të Berlinit. Fatkeqësisht që ka shumë indikatorë që po tregojnë deri në një nivel, përveç ndërhyrjes direkte në sistemin e votimit dhe parave të shumta që shpenzojnë në media dhe lajme të rreme (fake neës), qëllimi që të destabilizojë ekonomitë e shoqërive demokratike përmes inflacionit dhe çmimit të gazit, ka krijuar efektin e vet dhe poashtu ka plasaritur edhe sistemin politik. Edhe tek ne kjo gjë vërehet në të gjitha format e mundshme.

Mungesa e një sistemi energjetik të pavarur e efikas, si dhe pamundësia për të siguruar edhe produktet esenciale për qytetarët, na bënë të varur nga tregjet dhe çmimet në këto tregje. Ky është realiteti nëpër të cilin po kalojmë menjëherë pas krizës së pandemisë. Por, a jemi politikisht të pjekur që të bashkohemi përballë kësaj sfide të madhe?! Ukrainasit po duket që janë të unifikuar duke bërë luftën e përbashkët, e edhe shtetet baltike po duket që e kanë të qartë që unifikimi dhe stategjitë e përbashkëta janë e vetmja formë për të përballuar krizën e madhe botërore të shkatuar kryesisht nga Rusia. Por, ne çfarë kemi bërë?

Përveç që jemi vonuar në lansimin e një plani emergjent por gjithëpërfshirës, në vendin tonë vazhdojmë të përplasemi e të gjenerojmë debate që frustrojnë qytetarët dhe produktivitet praktik i këtyre debateve është afërsisht i barabart me zero. Edhe për shkak të çështjeve dhe problemeve të paraqitura nga dialogu me Serbinë dhe eskalimin e gjendjes në veri, por edhe marrëdhënieve me partnerë ndërkombëtar, poashtu për të adresuar problemet e paraqitura si pasojë e luftës në Ukrainë, na duhet një dialog i brendshëm ndërpartiak, përfshirë dhe akademinë dhe shoqërinë civile, për të krijuar kohezionin dhe koncensusin për temat e interesit kombëtar.

Sa herë kemi qenë të bashkuar dhe të fokusuar në gjërat që na bashkojnë, kemi dalë edhe me rezultate pozitive, por edhe kemi treguar seriozitetin e funksionimit si shoqëri shtetformuese dhe kredibile për partneritet. Pa u vonuar na duhet dialogu për unitet politik për tre temat:

1. Dialogun me Serbinë,

2. Energjinë dhe

3. Politikën e jashtme - marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtar.

III. Është fatkeqësi që po i afrohemi dimrit dhe kohës se ftohët dhe në debatin e kemi të fokusuar tek sigurimi i energjisë elektrike. Edhe një herë një huqje e madhe e tentimit të zgjidhjes së problemit edhe tani por për më shumë se dy dekada. Problemi i Kosovës dhe qytetarëve është ai i mungesës së energjisë termike dhe rrjedhimisht ngrohjes, e nuk është fare me furnizimin me energji elektrike. Me vjen keq që edhe sot analiza për krizën energjetike përkufizohet tek furnzimi me energji elektrike, dhe jo tek efiqienca dhe sigurimi i formave inovative për ngrohje, siç janë ngrohja me solare apo ngrohjet termike qendrore për qytetet dhe fshatrat.

Problemi me furnizimin me energji elektrike ka një problem të vetëm dhe ai është privatizimi i rrjetit të distribucionit dhe falja e hidrocentraleve duke privatizuar kështu monopolin natyror të furnizimit. Një privatizim i keq, i padrejtë, dhe me dëme të pariparueshme. Në mugesë të sistemit të gjyqësorit të pavarur dhe atë të drejtësisë, edhe sot vazhdohet të mbulohet turpi i privatizimit të distribucionit dhe faturimi i kostove të humbjes së qytetarëve të pafajshëm. Ky është defekti i sistemit të furnizimit me energji elektrike, por është paradoksale dhe e tmerrshme që të kërkohet që të shtohen kapacitetet e energjisë elektrike me qymyr për të djegur tre herë më shumë qymyr për të gjeneruar një herë energji elektrike, e cila mandej të kthehet në energji termike për ngrohje. Kjo formulë nuk ka shtet në botë që e duron dhe e arsyeton ekonomikisht dhe me kostot e jashtme të nxjerrjes dhe djegies së 8 milion toneve të qymyrit në vit sidomos kur gjithë kësaj i shtohet fakti që kemi diell dhe kemi erë, por mbi të gjitha kemi mundësinë e gjenerimit të energjisë termike në forma tjera inovative me teknologjitë e reja. E gjithë kjo bëhet edhe më e pakuptueshme kur edhe pas dy viteve nuk kemi strategjinë finale dhe gjithpërfshirëse për energjinë, vazhdojmë me zgjedhje të fazave emergjente dhe kjo ndodhë kur në anën tjetër diskutimet për Klimën në Egjipt kanë arritur nivelin e planifikimit dhe shtytjes drejtë dekarbonizimit të shpejtë dhe shqyrtimit serioz të limiteve të adoptimit.

E gjithë biseda tanimë nuk është për transformimin e sistemeve energjetike, kjo gjë është punë e kryer, po flasim për ekonominë qarkore, bujqësinë rigjeneruese, formën e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm, taksimin e të gjitha produkteve që perdorin energjinë nga fosilet, mbrojtjen dhe restaurimin e biodiversitetit dhe hapësirave tokësore për habitatin e florës dhe faunës të rrezikuar nga ndryshimet klimatike.

Ju falemnderit!

Haki Abazi

Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës

Kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë

Member of Parliament of Republic of Kosovo

Chairman of Foreign Affairs and Diaspora Committee