Ish-ministri i Brendshëm: Serbia po e prolongon njohjen, vendimi për targa është dashur të shtyhej

Ish-ministri i Brendshëm: Serbia po e prolongon njohjen, vendimi për targa është dashur të shtyhej

Aktuale November 11, 2022 - 08:20

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, e sheh situatën në veri goxha serioze. Sipas tij, grupet kriminale, me urdhër të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, po e destabilizojnë veriun e Kosovës.

Në një intervistë, ish-ministri ka thënë se me situata të tilla Serbia mund të shkaktojë probleme të mëdha dhe duke i viktimizuar qytetarët serbë.

“Situata momentale në Kosovë është pak e ndërlikuar për shkak të brishtësisë në pjesën veriore të Mitrovicës Veriore, pasi aty ka të bëjë me disa qytetarë janë të inkriminuar nga Qeveria e Serbisë dhe i zbatojnë urdhrat direkte nga presidenti Vuçiq. Serbisë nuk i konvenon një moment i tillë të ulet në tavolinë me probleme të tilla, por me probleme teknike krijon eksese. Ne duhet të jemi vigjilentë, sepse Serbia mund t’i viktimizojë qytetarët serb në veri, të shkaktojë probleme teknike, në mënyrë që të prolongojë sa më gjatë bisedimet, të cilat e bien statusin final ndërmjet dyja shteteve”, ka thënë Mustafa.

Sipas Mustafës, çështja e targave është zgjidhur në vitin 2011, ndonëse kishte munguar implementimi i tyre.

Dialogimi i Kosovës me Serbinë për targat, sipas Mustafës nuk do të duhej të ishte në tavolinën e bisedimeve.

“As Asociacioni e as targat nuk janë problem që Serbia, por ato janë vetëm në mënyrë deklarative. Kosovës i konvenon që të bisedojë dhe t’i zgjidhë problemet politike, ato teknike zgjidhen kur përfundojnë problemet politike. Problemi i targave nuk ka qenë dashtë të jetë në tavolinën e bisedimeve, sepse kjo është zgjidhur në vitin 2011. Nuk kemi mundur t’i implementojmë për shkak të problemeve, të cilat i kanë shkaktuar grupet kriminale të inkriminuara nga Serbia”, u shpreh Mustafa.

Mustafa thotë se kryeministri Kurti do të duhej ta shtynte afatin e kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare, ndonëse thotë se ishte kundër një shtyrje të tillë.

“Unë e kam thënë se nuk është dashur të shtyhet, por pasi që ndërkombëtarët kanë insistuar 10 muaj afat, atëherë është dashur të jepet ky afat, sepse edhe pas kësaj kohës, gjendja do të ishte e njëjtë”, thotë Mustafa. /eo