Organizatat mashtruese të Erdoganit në Kosovë (Foto)

Organizatat mashtruese të Erdoganit në Kosovë (Foto)

Aktuale August 18, 2015 - 08:07

Kanë aplikuar për leje ndërtimi për banim individual (shtëpi dykatëshe), por shteti turk përmes organizatës së saj, po ndërton shkollën e parë në qytetin e Pejës, për mësime kuranore, i cili tashmë është para përfundimit.

Investitori i shkollës për mësime kuranore në Pejë, është Departamenti për Çështje Fetare në Turqi, “Dijaneti”, që vepron në kuadër të presidentit Rexhep Erdogan, e cila nga paslufta ka marrëveshje me Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK). Në dokumentet që posedon gazeta “Zëri”, “Dijaneti” ka aplikuar në Drejtorinë e Urbanizmit në Pejë, për të marrë leje për ndërtimin e një objekti “banim individual” dykatësh në Pejë.

Por qëllimi ka qenë tjetër: ndërtimi i institutit “Hivzi Mehmet Akif Ersoj” për mësime kuranore, e cila ka filluar së ndërtuari në nëntor 2014, tani është ngritur në tre kate, dhe është para përfundimit.

“Dijaneti”, TIKA, “Yunus Emre”, “Drejtoria e Vakëfeve”… janë vetëm disa institucione që paguhen direkt nga shteti turk, për ndërtimin e xhamive dhe ofrimin e kurseve fetare për nxënës në Kosovë, ka mësuar “Zëri” nga hulumtimi i saj. Të vendosura në Kosovë, me “izën” e Rexhep Erdoganit, ato mbajnë fshehtë financat, nuk duan punëtorë shqiptarë, e në disa raste edhe mashtrojnë për atë se çfarë po ndërtojnë.

Image

 “Dijaneti” mashtron zyrtarët komunalë të Pejës

Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Pejës, Salih Lajçi, tregon për “Zërin”, se leja është dhënë për “banim individual”.

“Leja është dhënë për banim individual, unë nuk kam informata se po ndërtohet shkollë aty”, thotë për “Zërin”, drejtori i Urbanizmit në Komunën e Pejës, Salih Lajçi.

Por nga vënia e gurthemelit të këtij ndërtimi, nën prezencën e ambasadores turke në Kosovë, Songul Ozan, dhe atasheut për çështje fetare nga Turqia, Abdullah Vasfi Yuce, është lajmëruar për ndërtimin e shkollës së Kuranit. Për këtë flasin edhe zyrtarët e Bashkësisë Islame të Kosovës.

“Projekti i ndërtimit të shkollës së Kuranit në Pejë është rezultat i bashkëpunimit të Kryesisë së BIK-ut me ‘Dijanet’-in e Turqisë në projektin e binjakëzimit të Këshillave të Bashkësisë Islame të Kosovës me Myftinitë nga Turqia, në këtë rast ne kemi binjakëzuar KBI në Pejë me Myftininë e qytetit të Yalova-s në Turqi dhe tanimë ata kanë marrë përsipër ndërtimin e shkollës së Kuranit në Pejë”, thotë për “Zërin”, Vedat Sahiti, zyrtar për media në BIK.

Derisa në Pejë kanë mashtruar autoritetet e vendit për atë se çfarë po ndërtojnë, në Prizren po ashtu shteti turk, ka përjashtuar të gjithë shqiptarët në rastin e restaurimit të xhamisë së “Sinan Pashës”, ndërsa për herë të parë oborrin e xhamisë e kanë shndërruar në biznes turk, e bashkë me këto edhe imamin e saj shqiptar e kanë zëvendësuar me turk.

Ndërsa, financues i rindërtimit të xhamisë më të madhe në Prizren “Sinan Pasha”, e i dhjetëra xhamive dhe objekteve tjera fetare, është Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), që vepron në kuadër të Kryeministrisë turke, e cila mbetet investitori më i madh i objekteve fetare në Kosovë.

Image

Turqia përjashton shqiptarët nga xhamia e “Sinan Pashës”

TIKA, organizata e shtetit turk, kryesorja në investimet në objektet fetare islame në Kosovë, vetëm në xhaminë e “Sinan Pashës”, në Prizren, ka investuar vitet e fundit rreth 1.2 milion euro, mëson “Zëri”, ndonëse mjetet nuk janë bërë asnjëherë transparente.

Por TIKA kishte vendosur që çdo procedurë ta kryejë krye në vete, pa pyetur organet dhe shqiptarët, pjesë e trashëgimisë dhe kulturës në Prizren.

Në fillim të punimeve, rreth pesë vite më parë, Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve në Prizren, kishte themeluar komisionin e përbërë prej vendasve historianëve në Prizren, dhe TIKA-s, ku do të vendosej për çështjet e restaurimeve. Por nuk vonoi shumë, dhe komisioni u shpartallua pasi që përfaqësues të TIKA-s, nuk deshën mendimet e shqiptarëve, bën të ditur historiani nga Prizreni, Enver Batiu, që ishte pjesë e këtij komisioni.

“Neve shqiptarëve na përjashtuan nga komisioni, dhe TIKA vazhdoi punimet krye në vete. Solli punëtorë nga Turqia, askush nuk e di sa para ka investuar. Ç’është më e keqja ata sollën edhe imamin turk, dhe tani në xhaminë kryesore të vendit shqiptarët duhet të dëgjojnë ligjërata turqisht dhe të luten turqisht”, thotë Batiu.

Historian dhe njëherësh kryetar i Shoqatës Gjithëkombëtare për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Historike, Enver Batiu, thotë se “është e qartë se qëllimi i gjithë kësaj është që të kthehet ndikimi turk në Kosovë e Ballkan”, ndërsa e quan të dhimbshme “që para këtij presioni turk, është dorëzuar edhe BIK-u edhe Qeveria e vendit”.

Ajo çfarë ka ndodhur më tutje është se oborrin e kësaj xhamie, TIKA e ka shndërruar në biznes privat turk. Brenda saj janë hapur restorante dhe dyqane, të cilat turqit i lëshojnë me qira për shqiptarët. Brenda oborrit të xhamisë, janë hapur edhe banja publike me pagesë.

Tri institucione qeveritare turke, me investime milionëshe për çështje fetare

Pos “Dijanet”-it, dhe TIKA-s, që financohen direkt nga buxheti i shtetit turk, nga i njëjti buxhet tash sa vite financohet në Kosovë edhe instituti “Yunuz Emre”, e cila nuk bën ndërtime, por ofron mësime fetare pa pagesë për nxënësit e Kosovës. Instituti në fjalë vepron në Prizren, Pejë dhe Prishtinë.

Në janar të këtij viti (2015), BIK-u ka nënshkruan marrëveshje me “Yunuz Emre”, për realizimin e kurseve të arteve islame e të kaligrafisë, pastaj në disiplinën Ebru dhe zbukurimeve me flori. Kurse këto që organizohen në institucionet fetaro-arsimore të BIK-ut: në FSI dhe medresetë gjithandej Kosovës. Kurse, kurset mbahen nga profesorët turq.

Por edhe pse kjo marrëveshje mes BIK-ut dhe Institutit është bërë publike, i vizituar nga “Zëri”, drejtori i këtij Instituti, Bulent Uçpunar, nuk pranon se Instituti merret me çështje fetare.

“Organizimet tona janë të natyrës kulturore. Ne mësojmë nxënësit të flasin turqisht, të njohin kulturën turke, pastaj mësojmë zanate të ndryshme, sjellim edhe muzikantë nga Turqia e aktivitete tjera të tilla”, thotë Uçpunar.

Kurset ofrohen pa pagesë, thotë Uçpunar, pasi që buxheti është prej shtetit turk, dhe marrëveshja nuk lejon që të kemi përfitime. I njëjti Institut ka themeluar edhe atelienë për nevoja të BIK-ut dhe digjitalizimin e dorëshkrimeve orientale.

Image

Turqia prin me mësime Kurani nëpër Kosovë

Investimeve të tilla turke në Kosovë, i shtohen edhe investitorë nga komunat turke, siç është rasti i ndërtimit të xhamisë më të madhe në Mitrovicë “Isa Beg” e financuar nga Komuna e Bajram Pashës nga Stambolli, me të cilën është vëllazëruar prej kohësh Mitrovica, e cila ka kushtuar 2 milionë euro.

Investimet tjera vijnë edhe përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve të Turqisë, të cilët tashmë kanë filluar me ndërtimin e dhjetëra objekteve fetare, si: Medresenë e Vogël në Gjakovë, Kutubhanen e “Hadum Agës”, pastaj edhe disa xhami të Gjakovës, Sahatkullën në Mamushë, si dhe xhamitë “Alaudin”, “Pirinazi” dhe “Xhaminë e Viçit” në Prishtinë, xhaminë “Bajrakli” në Pejë dhe xhaminë “Gazi Ali Beu” në Vushtrri.

E të gjitha këto investime fetare turke në Kosovë, i përfaqëson Abdullah Vasfi Yuce, atasheu për çështje fetare pranë Ambasadës së Turqisë.

Vasfi Yuce është prezent në çdo aktivitet fetar në Kosovë, e nëse shikoni faqen e tij zyrtare në “Facebook”, ai së bashku me zyrtarë të BIK-ut të Kosovës, kanë filluar të japin mësime kuranore për fëmijë, gjithandej nëpër komunat e Kosovës.

“Zëri” ka siguruar foto të cilat tregojnë atë me djem e vajza të shkollës fillore, duke u recituar dhe mësuar Kuranin. Aktivitetet e tij janë të rregullta, dhe ato zhvillohen gjithandej në Kosovë, në veçanti në Mamushë, Gjakovë, Prizren, Mitrovicë, Pejë dhe Rahovec. Ato organizohen nëpër xhami, por edhe nëpër qendra kulturore.

Konvikt të femrave në Prizren

E përveç investimeve nga TIKA, “Dijaneti”, “Junus Emre”, “Drejtoria e Vakëfeve” e komunave turke, Kosovës nuk i mungojnë edhe fondet tjera në këtë drejtim nga shoqata joqeveritare, si “Istanbul”, e cila para pak jave ka filluar me ndërtimin e një konvikti për femra në Prizren.

Si përfundim rreziku i gjithë këtyre investimeve, shihet si qëllimin i Rexhep Erdoganit për të rritur influencën e tij në Kosovë dhe Ballkan.

“Ne kemi pranuar islamin si fe, në kohën e Perandorisë Osmane, qoftë me dhunë apo pa dhunë, por kurrë nuk e kemi ndryshuar bërthamën tonë. Kemi ruajtur shqiptarinë, ne flasim shqip, jetojmë shqip, punojmë shqip. Sot në liri, është e dhimbshme që po lejojmë ndikimin e Turqisë, dhe shtrirjen e influencës së tyre”, shprehet historiani Enver Batiu.

Image

Image
Image