AVONET: Qeveria po i ndëshkon padrejtësisht mësimdhënësit me mosekzekutimin e pagave

AVONET: Qeveria po i ndëshkon padrejtësisht mësimdhënësit me mosekzekutimin e pagave

Aktuale October 05, 2022 - 18:07

Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET, ka reaguar me mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit për muajin shtator.

Sipas njoftimit thuhet se, qasja e krijuar nga Qeveria e Kosovës duke selektuar për pagë vetëm kategorinë e mësimdhënësve nënkuptohet si tendencë e Qeverisë për të ndëshkuar këtë kategori pa të drejtë, raporton Zeri.info.

Sipas tyre, kjo qasje e Qeverisë tashmë është shndërruar në luftë politike dhe jo zbatim të legjislacionit.

“Kjo Qeveri po mundohet që të krijoj një sistem ku askush nuk mund të grevoj dhe paraqet paralajmërim edhe për sindikatat tjera të punëtorëve, duke tentuar të krijoj një sistem ku askush nuk mund të shpreh pakënaqësi sepse pasojnë ndëshkimet. Ky veprim i Qeverisë paraqet shkelje të të drejtave të njeriut dhe për qëllim ka shtypjen e sindikatave, ku punëtorët nuk do të mund më ti shprehin pakënaqësitë”, thuhet në reagimin e AVONET.

Po ashtu sipas Avonet, qasja e Qeverisë për të mos i paguar mësimdhënësit e rëndon edhe më shumë gjendjen aktuale financiare dhe ekonomike të tyre, duke marrë parasysh rritjen e inflacionit dhe rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore.

“Përveç mohimit të pagës, kjo kategori tashmë qe një muaj është përballur edhe nga sulme dhe linçime të ndryshme, duke i ofenduar në masë ekstreme, madje edhe duke i quajtur analfabet dhe të paaftë, çka për AVONET konsiderohet e papranueshme. Sot, me 5 tetor, në ditën ndërkombëtare të mësuesit, kjo Qeveri ua dha goditjen e fundit, duke mos i paguar ata” thuhet në reagim.

AVONET-i kërkon nga Qeveria e Kosovës të reflektoj dhe ta ekzekutoj pagesën për mësimdhënësit, duke ju rikujtuar se në bazë të Ligjit Nr.03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale, konkretisht neni 17, ku janë të përcaktuara Kompetencat Vetanake, Komuna e ka përgjegjësinë për pagesën e rrogave dhe trajnimin e instruktorëve të arsimit. /Zëri