Latifi mbledh anesteziologët e pensionuar, u kërkon bashkëpunim

Latifi mbledh anesteziologët e pensionuar, u kërkon bashkëpunim

Aktuale October 04, 2022 - 15:15

Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi ka pritur sot një grup të anesteziologëve të pensionuar.

Në këtë takim, ministri Latifi kërkoi nga anesteziologët tashmë në pension bashkëpunim, mbështetje dhe ide kreative për ta ndihmuar fushën dhe shërbimet e anesteziologjisë bazuar edhe në përvojat e tyre akademike dhe profesionale.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se Latifi u tha anesteziologëve se sistemi shëndetësor i Kosovës, e sidomos Qendra Klinike Universitare e Kosovës, kanë nevojë për një riorganizim të duhur, me theks te shërbimet e anesteziologjisë ku ka mungesë kuadri.

“Ministri Latifi falënderoi të gjithë anesteziologët pjesëmarrës në takim për punën e palodhshme dhe kontributin që për vite kanë dhënë në shëndetësinë e Kosovës, përfshirë këtu edhe kohërat më të vështira që i kanë kaluar ata dhe pacientët”.

“Bashkëbiseduesit u dakorduan se me punë të përbashkëta ekipore dhe me kontributin dhe përvojën edhe të atyre që ende mund të kontribuojnë, mund të bëhen ndryshime dhe të përmirësohen shërbimet dhe gjendja në shëndetësi. Anesteziologët e pensionuar u shprehën të gatshëm për të mbështetur ministrin Latifi dhe angazhimet për përmirësimin e gjendjes dhe shërbimeve në shëndetësi”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se Kosova është duke u përballur me rrezikun nga mungesa e mjekëve, e në veçanti të anesteziologëve, të cilët po largohen nga vendi për në shtetet e BE-së. /Zëri