Hill: Putinit nuk i intereson fare Kosova, po përpiqet të legjitimojë disi atë që u bëri fqinjëve

Hill: Putinit nuk i intereson fare Kosova, po përpiqet të legjitimojë disi atë që u bëri fqinjëve

Aktuale October 01, 2022 - 21:31

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill tha se rasti i Kosovës me atë të agresionit rus në Ukrainë nuk mund të krahasohen.

Në një paraqitje për televizionin serb "Nova", ai u pyet se si mund t'i kërkohet Serbisë të heqë dorë nga Kosova, dhe pastaj të mos i kërkohet Ukrainës të heqë dorë nga territoret e saj.

“Ne nuk konsiderojmë se situata në Kosovë, e cila u ngrit 23 vjet më parë, është në asnjë masë e ngjashme me agresionin e armatosur dhe pushtimin tokësor të Rusisë, sulmet e synuara ndaj ndërtesave të banimit ku jetojnë civilë, nuk shohim një analogji mes të dyjave situata”, shpjegoi ai, transmeton Zeri.info. 

Hilli iu referua edhe qëndrimit të Putinit për Kosovën.

“Unë mendoj se atij nuk i interesob fare për Kosovën, ai thjesht po përpiqet të legjitimojë disi atë që u bëri fqinjëve të tij”, thotë Hill.

Ndër të tjera, Hilli foli edhe për varësinë që Serbia e ka në Rusinë.

Ai tha se Serbia varet shumë nga burimet ruse të energjisë dhe se është shumë e nevojshme që ky vend të diversifikojë burimet e saj energjetike.

“Amerika dhe Serbia kanë shumë tema për të biseduar këto ditë, ndaj kemi biseduar për gjëra të ndryshme. U diskutua për energjinë, është e rëndësishme të trajtohet kriza energjetike që ka kapluar të gjithë botën. Ndër të tjera, edhe për Ukrainën. Mund të mos pajtohemi për gjithçka, por jemi gati të flasim”, tha ambasadori Hill.

Ai tha gjithashtu se detyra e tij është të sigurohet që qeveria serbe ta kuptojë qëndrimin e Washingtonit, por edhe të kuptojë qëndrimet e Beogradit.

“Sigurisht, Serbia ka burime alternative të energjisë. Pyetja e vetme është se sa shpejt mund të vihen në punë. Mund të thuhet se Serbia varet shumë nga burimet ruse të energjisë. Në muajt e fundit, ne kemi parë se Rusia nuk është një burim veçanërisht i besueshëm i energjisë dhe se rusët po ndërthurin politikën dhe shpërndarjen e produkteve energjetike. Serbia ka nevojë të dëshpëruar të diversifikojë burimet e saj të energjisë dhe ne do të dëshironim të jemi pjesë e këtij procesi”, theksoi Hill.

Ambasadori tha gjithashtu se do ta ndihmojë Serbinë që të shfrytëzojë potencialin e burimeve të saj energjetike dhe se shpreson që Rusia një ditë të jetë një furnizues i besueshëm i gazit natyror, sepse aktualisht po e përdor atë për të shantazhuar vendet e tjera.

I pyetur se si i sheh ngjarjet në Nord Stream dhe ndërprerjen e furnizimit me gaz, Hill shprehet se SHBA-ja nuk është përgjegjëse për këto lloj veprimesh të papërgjegjshme.

“Është e vështirë të thuhet sot se kush është përgjegjës, por jini të sigurt se SHBA-ja nuk është e përfshirë”, tha Hill.

Kur bëhet fjalë për qëndrimin e Serbisë ndaj luftës në Ukrainë, ambasadori amerikan thotë se “nuk ka dyshim se Serbia po përpiqet ta përafojë politikën e saj me Perëndimin dhe se i ka shprehur qartë qëndrimet e saj për agresionin rus në Ukrainë”. /Zëri