Këshilli i Prindërve: Thirrja për çregjistrim, mekanizmi ynë mbrojtës

Këshilli i Prindërve: Thirrja për çregjistrim, mekanizmi ynë mbrojtës

Aktuale September 30, 2022 - 18:34

Këshilli i Prindërve të Kosovës ka bërë të ditur se nëse të hënën e ardhshme nuk fillon mësimi në gjithë vendin, do të kërkojnë çregjistrim të nxënësve nga shkollat. E për këtë, Labinot Salihu nga po i njëjti këshill, tha se kjo mënyrë do jetë vetëm një mekanizëm mbrojtës.Salihu konsideron se është e domosdoshme që prindërit t’i përdorin të gjitha mundësitë për të mbrojtur fëmijët e tyre.

“Kjo nuk është një thirrje e ashpër e as një ftesë radikale. Ftesa jonë për t’i çregjistruar fëmijët nëse mësimi nuk fillon, është vetëm një mekanizëm mbrojtës. Po ashtu edhe një shembull për t’u treguar të gjithëve, e në veçanti Sindikatës së Arsimit, pra që mësimdhënësit aty janë për fëmijët dhe se shkolla është për nxënësit. Ne do kërkojmë nga prindërit që t’i përdorin të gjitha instrumentet apo masat e duhura për t’i ruajtur fëmijët e tyre”, vlerësoi kështu Salihu.

Sipas tij, kjo nuk është hera e parë që SBASHK-u ka përdorur nxënësit për presione sindikale.

“Format e presionit sindikal duhet të rishqyrtohen. Nuk është hera e parë që Sindikata e Arsimit përdor mësimin si mjet për presion sindikal. Ndërsa, ne si Këshill i Prindërve do punojmë fuqishëm që kjo të jetë greva e fundit që përdoret nga sindikata si presion sindikal për t’i arritur qëllimet e tyre”, tha tutje ai në Tëvë1.

Teksa i pyetur se a mund të ketë rrezik nga thirrja e tyre për çregjistrim të fëmijëve nga shkollat, Salihu tha se ata duhet ta dinë se nëse në shkollë nuk janë fëmijët, ata nuk kanë çfarë të kërkojnë më aty.