
Osmani: Do të ofroj mbështetjen time për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot takimin e Këshillit Konsulativ për Komunitete e ka nisur me një minutë heshtje në nderim të jetës e veprës së anëtares së këtij këshilli, Gylten Nobrda.
Osmani në këtë takim ka bashkëbiseduar me anëtarët e Këshillit për shqetësimet që kanë komunitetet, derisa uroi edhe komunitetin boshnjak për ditën e tyre, raporotn Zeri.info.
Presidentja Osmani ka theksuar rolin e rëndësishëm të Këshillit për Komunitete, duke thënë se u jep mundësinë që të përfshihen në role vendimarrëse në shoqërinë kosovare.
Në fjalën e saj, presidentja Osmani ka thënë se promovimi i të drejtave të komuniteteve është përkushtim i cili kërkon angazhim të përbashkët.
“Si Presidente e Republikës së Kosovës, do të ofroj mbështetje të plotë, brenda kompetencave kushtetuese dhe ligjore, për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve. Andaj, do të punoj për të shtyrë para rekomandimet e Këshillit gjatë tërë mandatit tim dhe për më tepër, do t`i bashkërendojmë aktivitetet tona”, u shpreh ajo.
Përveç të tjerash në këtë takim janë shqyrtuar disa rekomandime në lidhje me shënimin e Ditës së Diversitetit, shpalljen e konkurseve në gjuhët zyrtare në Kosovë dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me komunitetet. /Zëri