Mustafa: Qeveria s’i ka procesuar rrogat për zyrtarët publikë edhe pse ka 800 milionë euro në bankë

Mustafa: Qeveria s’i ka procesuar rrogat për zyrtarët publikë edhe pse ka 800 milionë euro në bankë

Aktuale September 30, 2022 - 16:27

Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa ka kritikuar Ministrinë e Financave pasi nuk ka procesuar pagat për zyrtarët publik.

Ai ka thënë se Ligji ia lejon ministrisë që të procesojë pagat deri më 5 tetor në rast se ka nevojë që t’i sigurojë mjetet, raporton Zeri.info.

“Ligji ia lejon Ministrisë të procesojë pagat deri më 5 tetor, në rast se ka nevojë të sigurojë mjetet. Por, MF ka 800 milionë euro në llogari bankare, të konfirmuara nga vet ministri. E në anën tjetër qytetarët po përballen me një nga krizat më të thella ekonomike dhe energjetike dhe me rritje të frikshme të çmimeve!”, u shpreh Mustafa.

Ai më tej ka pyetur se si mund qytetarët të paguajnë faturat e këstet e kredive, kur qeveria nuk ua proceson pagat.

“Pse pra nuk janë procesuar pagat sot? Ky duket qartë se është ndëshkim i të gjithë zyrtarëve publik, është presion i llojit “detyroni mësuesit të kthehen në shkolla, përndryshe as juve nuk ua procesojmë pagat”, shkroi ai.

Mustafa ndër të tjera ka thënë se Qeveria duhet ta ndalë këtë qasje dhe të gjejë një zgjidhje për gjendjen e rënduar ekonomike. /Zëri