Osmani për raportet me Edi Ramën: S’na duhen politikanë që mbrojnë regjimin e Serbisë

Osmani për raportet me Edi Ramën: S’na duhen politikanë që mbrojnë regjimin e Serbisë

Aktuale September 26, 2022 - 23:00

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një intervistë ka folur edhe për raportet me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Ajo theksoi se edhe pas nismës “Ballkani i Hapur” marrëdhëniet mbeten vëllazërore, duke shtuar se Kosova ka pasur fatin që gjithnjë ta ketë përkrahjen e fuqishme të Shqipërisë në çdo forum ndërkombëtar ku ne ende nuk kemi ulëse.

Në anën tjetër ajo ka thënë se nuk është takuar ende me Ramën në Neë York, kurse për marrëveshjet ka thënë se janë të natyrës zyrtare.

“Mosmarrëveshjet janë të natyrës zyrtare për temat që i përmenda, natyrisht që raportet ndërpersonale mes politikanëve janë komplet të parëndësishme, por çka është e rëndësishme janë raportet mes shteteve”, u shpreh Osmani në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Osmani më tej tha se ajo që ka rëndësi është marrëdhënia e shkëlqyeshme që ka me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, për të cilin tha se ka bërë çmos që t’i dëgjohet zëri Kosovës në raport me shtetet të cilat nuk e kanë njohur atë.

“Unë nuk mendoj që qasja ku politikanët shqiptarë, pavarësisht se a janë nga Kosova, nga Shqipëria, nga Maqedonia e Veriut apo nga Mali i Zi apo Presheva, shndërrohen në apologjetik të politikave të Serbisë është diçka që i ndihmon qoftë Kosovës qoftë shqiptarëve. Nuk mendoj që është e drejtë që të arsyetohet qasja dhe veprimet proruse të Serbisë, nuk mendoj aspak që është e drejtë që të arsyetohet Serbia që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë sepse kjo pastaj shkon në ato që quhen politika e “shpëtimit të fytyrës” së një regjimi në Serbi që po ashtu ka shërbyer edhe në kohën e (Slobodan) Millosheviqit”, u shpreh Osmani. /Zëri