Çitaku i reagon Musliut: PDK-ja po reformohet, nuk po tjetërsohet

Çitaku i reagon Musliut: PDK-ja po reformohet, nuk po tjetërsohet

Aktuale September 24, 2022 - 21:26

Deputetja Ganimete Musliu pati një sërë kritikash për mënyrën e funksionimit të PDK-së, madje ajo ka thënë se kjo parti është duke u shndërruar në “parti pronë” për disa individë.

Musliu ndër të tjera theksoi edhe arsyet pse nuk ishte e pranishme në Konventën Programore të PDK-së, shkruan Zeri.info.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku i është kundërpërgjigjur Musliut, duke thënë se partia e saj do të reformohet, por jo të transformohet.

“Në PDK jam që nga themelimi. Në fakt, me Presidentin Thaçi kam punuar para se PDK të krijohet si parti. E kam parë nga afër përpjekjen e tij të vazhdueshme për ta pasuruar, rilindur, e reformuar PDK-në. Poashtu e di që edhe atëbotë, sikurse edhe sot, ka pasur ndonjë rezistencë”, u shpreh ajo.

Çitaku më tej pati një mesazh duke thënë se “Suksesin nuk e peshoj me pozicionin tim”

“Por, rrugëtimi ynë nuk ndalet. E unë, si një grua që ka gëzuar mbështetje e privilegje nga PDK në këto 23 vite, suksesin më nuk e peshoj me pozicionin tim. Suksesin tim e peshoj me mundësitë që do të krijojmë për gratë e vajzat e reja. Nuk kemi me u ndalë”, shkroi ajo në Facebook. /Zëri