Bajrami komenton ato që Kurti i renditi arritje për një vit e gjysmë qeverisje

Bajrami komenton ato që Kurti i renditi arritje për një vit e gjysmë qeverisje

Aktuale September 24, 2022 - 16:08

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së Hykmete Bajrami, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka komentuar ato që kryeministri Albin Kurti i ka cilësuar si arritje të Qeverisë së tij, pë një vit e gjysmë qeverisje

Kurti kishte thënë se Kosova shënoi rritjen më të madhe ekonomike në rajon gjatë vitit të kaluar, por sipas Bajramit, kjo s’është meritë e Qeverisë, meqë viti 2021 ishte vit pospandemik, raporton Zeri.info.

Ndërsa për pakon e Ringjalljes Ekonomike, Bajrami i ka kërkuar që t’i publikojnë listat e përfituesve.

“Për këto qindra miliona euro të shpërndara vetëm ju dhe ministri Murati jeni në dijeni sepse në asnjë raport nuk figurojnë. Për qudi asnjëherë nuk publikuat asnjë listë të përfitueseve apo “50 top përfitueseve”. Publikoni listat e përfitueseve, sepse transparenca është veti e domosdoshme e qeverisjes së mirë, një prej kartave me të cilat i keni ardhë në pushtet”, ka shkruar Bajrami.

Ndërkohë, për rritjen e të hyrave të Doganës, ATK-së dhe eksporteve, deputetja e LDK-së ka thënë se këto janë rritur shkaku i rritjes së çmimeve, duke ia kujtuar se Kosova është e para për inflacion në rajon.

Bajrami ka përmendur edhe Marrëveshjen me MCC-në që Kurti e konsideroi sukses të Qeverisë.

Sipas saj, meritore për këtë marrëveshje ka qenë Presidentja Jahjaga e Qeveria Mustafa.

“Nuk je meritor për këtë, e ke gjet të gatshme. Bëhu i guximshëm dhe thuaj faleminderit ish presidentes Jahjaga. Qeveria Mustafa i ka plotësuar të gjitha kushtet e vëna nga MCC-ja. Qeveria juaj e ka vetëm një “meritë” që e ka ndryshuar destinimin e fondeve prej projektit të gazifikimi në bateri”, ka shkruar ajo.

Për një prej arritjeve që përmendi Kurti, Bajrami i ka thënë “bravo”. Bëhet fjalë për themelimin e Institutit për dokumentimin e krimeve të luftës. /Zëri