Presidenti francez nderon Gazmend Çitakun me medaljen Kalorës i Urdhrit Kombëtar të Meritës

Presidenti francez nderon Gazmend Çitakun me medaljen Kalorës i Urdhrit Kombëtar të Meritës

Aktuale September 22, 2022 - 21:35

Me rekomandim të Ambasadës së Republikës Franceze në Republikën e Kosovës, Gazmend Çitaku, Drejtor i Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Ministrinë e Drejtësisë së Kosovës, është nderuar nga presidenti francez Emmanuel Macron me medaljen Kalorës i Urdhrit Kombetar të Meritës.

Siç njoftoi Ambasada franceze në Kosovë në rrjetin social Facebook, Shkëlqesia e Saj Ambasadorja franceze në Kosovë, Marie-Christine Butel ia dorëzoi mbrëmë medaljen Çitakut.

“Kjo mirënjohje nga Franca shpërblen shërbimet e shquara që z. Çitaku ka bërë me veprimtarinë e tij profesionale dhe përbën një inkurajim për të vazhduar angazhimin e tij për të mirën e përbashkët. Ceremonia u mbajt në Rezidencën e Francës, në prani të familjes, miqve dhe kolegëve të tij, si dhe autoriteteve lokale dhe ndërkombëtare“, thuhet në postimin e Ambasadës franceze në Facebook.

Nga ana tjetër, Çitaku është shprehur se ishte një nder i veçantë për të të pranonte medaljen Kalorës i Urdhrit Kombëtar të Meritës nga presidenti Macron.

Ai theksoi se njohja si simbol i drejtësisë nga institucioni më i lartë shtetëror në Francë, si një arritje jetësore për të dhe vlerësim për Ministrinë e Drejtësisë së Republikës së Kosovës, i jep një inkurajim dhe motivim shtesë për të vazhduar të kryej detyrën me vendosmëri dhe profesionalizëm maksimal.

"Shpreh falënderimin dhe mirënjohjen time më të thellë për Presidentin Macron, Shkëlqesinë e Saj Ambasadoren e Francës në Kosovë, znj. Marie-Christine Butel, për ambasadën franceze në Kosovë dhe shtetin francez“, ka shkruar Çitaku në Facebook./Zëri