Destani takohet me presidentin Begaj, bisedojnë për çështje të diasporës

Destani takohet me presidentin Begaj, bisedojnë për çështje të diasporës

Aktuale September 22, 2022 - 17:38

Biznesmeni i njohur shqiptar, Lazim Destani ka takuar sot presidentin e Shqipërisë Bajram Begaj.

Destani i ka uruar sukses Begajt në detyrën e re, ndërsa është shprehur i bindur se do ta përmbushë me profesionalizëm të lartë detyrën e tij si President i Republikës së Shqipërisë.

“Sot pata nderin dhe kënaqësinë të realizoj një vizitë uruese te Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj. Përmes kësaj vizite, Presidentit Begaj i shpreha urimet e mia më të mira e të përzemërta për postin e tij të ri duke i uruar shëndet dhe suksese në këtë detyrë të rëndësishme në krye të vendit. Njohja e më hershme me z. Begaj i dha ngrohtësi të veçantë këtij takimi”.

“Jam me besimin e plotë se z. Begaj duke qenë një ushtarak karriere, mjek dhe njeri me integritet, do ta përmbushë me profesionalizëm të lartë detyrën e tij si President i Republikës”, ka shkruar Destani

Destani si Kryetar i Këshillit Koordinues të Diasporës, gjithashtu e ka njoftuar Begajn me aktivitetet e tyre.

“Gjatë këtij takimi, ku isha i shoqëruar nga disa anëtarë të Këshillit Koordinues të Diasporës, patëm rastin ta njoftojmë Presidentin në përgjithësi mbi aktivitetet e KKD si dhe diskutuam aspekteve të ndryshme mbi rolin e KKD-së”.

“Me këtë rast gjithashtu biseduam në përgjithësi mbi çështje të ndryshme që lidhen me Diasporën tonë gjithandej nëpër botë. Presidenti Begaj e çmoi lart punën ndër vite që po bën Këshilli si dhe ofroi mbështetjen e plotë institucionale për punën e mëtejshme të KKD-së”, ka shkruar Destani. /Zëri