Instituti për hetimin e krimeve të luftës - i pavarur a nën Qeveri
Foto: Laura Hasani

Instituti për hetimin e krimeve të luftës - i pavarur a nën Qeveri

Aktuale September 22, 2022 - 16:55

Kosova synon rikrijimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Por, Bekim Blakaj, drejtor i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, thotë se një institut i tillë nuk do të duhej të jetë nën administrimin e Qeverisë së Kosovës, për shkak të rrezikut nga ndikimi politik.

Qeveria e Kosovës më 16 shtator miratoi Projektligjin për Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe ai është dërguar në Kuvendin e Kosovës për shqyrtim dhe miratim.

Projektligji parasheh themelimin e institutit me qëllim të hulumtimit dhe dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, nga 1 janar 1998 deri më 20 qershor 1999.

Parashihet që instituti të jetë agjenci në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, i udhëhequr nga një drejtor ekzekutiv, të cilin e emëron kryeministri i Republikës.

Lidhur me këtë projekligj, Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë i ka dërguar komente Qeverisë në kuadër të së cilave [komenteve] është shprehur se një institut i tillë duhet të jetë një agjenci e veçantë dhe jo pjesë e një qeverie.

“Ka rrezik që ndoshta jo të keqpërdoret, por të ketë ndikim politik. Nuk do të duhej të ishte nën çfarëdo institucioni, i cili është politik. Në rend parë është pavarësia e një trupi të tillë. Ka mundur të jetë në kuadër Akademisë së Shkencave, Bibliotekës Kombëtare, apo siç ka në vende të ndryshme ku një institucion i tillë funksionon në kuadër të Fakultetit Juridik, që është megjithatë, apolitik. Mirëpo, nën ombrellën e Qeverisë apo institucioneve qeveritare, është pak problematik. Mund të ketë interferenca të ndryshme politike për të cilat ne nuk jemi të vetëdijshëm në këtë moment, por sigurisht do të dalin”, thotë Blakaj.

Ngjashëm mendon edhe profesori i të Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu.

“E mira e së mirës do të ishte që instituti të jetë institut tërësisht i pavarur, sikur që është Instituti i Historisë, sikur që është Instituti Albanologjik, e ky të jetë institut për krime të luftës. Ose, eventualisht të jetë në kuadër të Universitetit të Prishtinës”, thotë Salihu.

Si është e rregulluar kjo çështje në rajon?

Instituti për Kërkimin e Krimeve Kundër Njerëzimit dhe të Drejtës Ndërkombëtare në Bosnjë dhe Hercegovinë funksionon në kuadër të Universitetit të Sarajevës, si anëtar i tij i plotë. Është themeluar në vitin 1992 si institucion publik kërkimor shkencor, i cili merret me hulumtimin e krimeve kundër paqes, krimeve të gjenocidit dhe shkeljeve të tjera të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare nga aspekte historike, juridike, sociologjike dhe të tjera me rëndësi për kërkimin shkencor gjithëpërfshirës të krimeve.

Gjithashtu, brenda Ministrisë së Sigurisë të Bosnjë dhe Hercegovinës (SIPA), ekziston një sektor për hetimin e krimeve të luftës dhe krimeve të dënueshme sipas Ligjit ndërkombëtar humanitar.

Ky sektor heton krimet e luftës nën juridiksionin e gjykatës së BeH-së, mbledh informacione dhe të dhëna për aktet kriminale, analizon raportet dhe informacionet për të dyshuarit dhe personat e akuzuar dhe krimet dhe vlerëson dhe analizon të dhënat e inteligjencës.

Në vendet e tjera të rajonit nuk ka institucione të veçanta publike që merren me krimet e luftës.

Në Serbi ekziston një Prokurori e posaçme për Krimet e Luftës dhe është i vetmi institucion që mund të sigurojë mbrojtje sistematike për viktimat dhe familjet e viktimave të krimeve të luftës të kryera në territorin e ish-Jugosllavisë. Ndryshe, prokurorin për krime lufte e zgjedh Kuvendi Popullor i Republikës së Serbisë.

Në Kroaci, krimet e luftës hetohen nga Agjencia e Sigurisë dhe Inteligjencës, në mënyrë të pavarur ose në koordinim me organet e tjera kompetente, si Ministria e Punëve të Brendshme, Prokuroria e Shtetit ose Agjencia e Sigurisë dhe Inteligjencës Ushtarake. Në faqen zyrtare thuhet se po bëhen përpjekje të veçanta për identifikimin e autorëve të krimeve të luftës, qofshin ata autorë të drejtpërdrejtë apo ata që janë përgjegjës përmes zinxhirit komandues.

A është vonuar Kosova?

Sipas të dhënave të publikuara nga Fondi për të Drejtën Humanitare, gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1998 – 1999, janë vrarë më shumë se 13.500 persona, 76 për qind e të cilëve besohet se kanë qenë civilë.

Edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e rreth 1.600 personave të pagjetur.
Edhe pse “kurrë nuk është vonë”, Blakaj edhe Salihu mendojnë se Kosova është vonuar në krijimin e një instituti për hetimin e krimeve të luftës.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KETU