Hoxhaj Kurtit: Mos luaj të fortin me sindikatat e opozitën, gjej zgjidhje për grevën
Foto: Laura Hasani

Hoxhaj Kurtit: Mos luaj të fortin me sindikatat e opozitën, gjej zgjidhje për grevën

Aktuale September 22, 2022 - 13:03

Sot në Kuvend po debatohet për grevën e përgjithshme, e nisur nga BSPK-ja.

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, kritikoi Kurtin për veprimet e deritanishme karshi sindikatave. Ai i tha kryeministrit “mos e luaj të fortin me sindikatat e opozitën”.

Hoxhaj i bëri thirrje Kurtit të gjejë një zgjidhje sa më parë, në mënyrë që procesi mësimor të fillojë, raporton Zeri.info.

“Kryeministri Kurti në këtë Kuvend e ka thënë se arsimi është prioritet dhe kërkon konsensus nacional. Fakti që s’po ka vullnet për të kërkuar konsensus me Sindikatën tregon se ku jemi. Arsimtarët janë qytetarë të Kosovës dhe ju ftoj që të riktheheni dhe të bisedoni me ta… Ju ftoj juve për një zgjidhje kalimtare, meqë nga janari mund të jetë në fuqi Ligji për Pagat, është mirë të bisedoni me mësimdhënësit. E ftoj sot që …nuk ka nevojë ta luajë rolin e të fortit në raport me sindikatat e rolin e të fuqishmit në raport me opozitën, por ta kuptojë në thelb se si duket procesi demokratik”, u shpreh Hoxhaj.

Ai më tej ka thënë se ka kaluar një muaj nga nisja e grevës dhe se humbjet janë të mëdha për fëmijët.

“Ne nuk jemi sindikatë e sindikatës, po jemi ata që kemi fëmijë në shkolla publike dhe e dimë se sa është e dëmshme humbja e katër javëve të vitit shkollor”, deklaroi deputeti Enver Hoxhaj. /Zëri