
Reuters: NATO-ja sjell trupa rezervë në Kosovë nga frika e trazirave serbe
NATO-ja ka sjellë disa trupa rezervë të misionit të saj paqeruajtës (KFOR) për stërvitje në Kosovë, tha një nga komandantët e misionit të mërkurën, mes trazirave mes serbëve të Kosovës përpara një afati të fundit për targat e automjeteve të lëshuara nga shteti i Kosovës, raporton Reuters-i.
Përpjekjet e mëparshme për të futur targat e Kosovës në veriun e Kosovës të dominuar nga serbët, kishin çuar në përleshje midis policisë dhe serbëve lokalë, të cilët ngritën postblloqe gjatë verës, raporton Zeri.info.
Barrikadat u çmontuan vetëm kur paqeruajtësit e kFOR-it ndërhynë për të mbikëqyrur procesin dhe Kosova ra dakord të shtyjë afatin e vendimit të regjistrimit të veturave deri në 31 tetor.
Afati i afërt ka ngritur frikën e një konflikti midis Kosovës dhe Serbisë, më shumë se dy dekada pasi NATO-ja bombardoi Serbinë për t'i dhënë fund represionit ndaj shumicës shqiptare të Kosovës.
"Si pjesë e planifikimit normal të emergjencës, ka rezervistë që stërviten për të ardhur këtu", u tha gazetarëve në kampin Bondsteel komandanti rajonal i KFOR-it në lindje, koloneli Christopher Samulski.
Rreth 3,700 paqeruajtës të NATO-s janë ende të stacionuar në Kosovë për të parandaluar dhunën midis shqiptarëve etnikë dhe serbëve.
Të martën, zëvendëskomandanti i KFOR-it tha se NATO-ja nuk mund të përjashtonte tensione të reja në veri me afrimin e afatit dhe se aleanca ishte e gatshme të rriste numrin e trupave në Kosovë nëse tensionet mes pakicave serbe ndizen sërish.
"Ushtarët e parë (këmbësoria - Fuselier, shën.red) nga Britania e Madhe janë këtu si rezervë strategjike, që është një provë normale e hyrjes dhe integrimit të tyre në operacionet normale", tha Samulski, duke iu referuar një njësie këmbësorie britanike.
Oficeri amerikan nuk dha ndonjë shifër konkrete se sa trupa rezervë kishin mbërritur në Kosovë, por foli për një njësi "me madhësi batalioni". Një batalion zakonisht përbëhet nga 500 deri në 1000 trupa.
Samulski tha se KFOR-i mund të përdorë gjithashtu rezerva jashtë Kosovës. /Zëri