Nxjerrja e zhavorrit ua merr jetën lumenjve në Kosovë
Foto: REL

Nxjerrja e zhavorrit ua merr jetën lumenjve në Kosovë

Aktuale September 18, 2022 - 16:39

Kosova vlerësohet se ka resurse të kufizuara të ujit, por edhe ato, sipas Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), janë keqshfrytëzuar dhe ndotur.

Në raportin “Ndikimi i Shfrytëzuesve të Rërës dhe Zhavorrit në Gjendjen Mjedisore të Lumenjve”, i publikuar në muajin gusht të këtij viti, AMMK-ja ka konstatuar se shumica e lumenjve të Kosovës janë shkatërruar në atë masë, saqë riparimi i dëmeve është i pamundur.

“Shfrytëzimi i inerteve të lumenjve i ka kaluar të gjitha limitet e mundësisë natyrore që lumenjtë të kthehen në gjendjen e mëparshme”, thuhet në raport.

Shkatërrimi i shtretërve të lumenjve, sipas raportit, ka nisur në masë të madhe nga viti 1999.

“Lumenjtë tanë, pas vitit 1999 e këndej, pa përjashtuar të kaluarën e mëparshme, i janë nënshtruar një presioni të vazhdueshëm të eksploatimit dhe shfrytëzimit nga personat fizikë dhe juridikë [operatorët ekonomikë]”, thekson raporti.

Drini i Bardhë më i shkatërruari

 

Image

Sipas tij, më i shkatërruari nga nxjerrja e zhavorrit rezulton të jetë lumi më i gjatë në Kosovë, Drini i Bardhë, prej 112 kilometrash.

Radio Evropa e Lirë, më 16 shtator, ka vizituar këtë lumë në pjesën ku është më së shumti i dëmtuar - në afërsi të fshatit Krushë e Prizrenit.

Aty shihen shenja të makinerisë së rëndë, grumbuj zhavorri, gropa gjigande të shkaktuara nga nxjerrja e zhavorrit, si dhe dhjetëra makineri të tjera që përdoren për të thyer gurët për zhavorr.

Nxjerrja e zhavorrit nga lumenjtë është e ndaluar që nga viti 2016 përmes një Udhëzimi Administrativ. Por, pavarësisht kësaj, kamionët dhe ekskavatorët mund të shihen në afërsi të shtratit të Lumit Drini i Bardhë.

Ekipi i Radios Evropa e Lirë ka provuar të flasë me banorët e fshatrave që jetojnë buzë shtratit të këtij lumi, por ata kanë thënë se “nuk duan që të kenë punë me kompanitë që merren me nxjerrjen e zhavorrit”.

Shumë prej tyre kanë refuzuar që fjalët e tyre të citohen, por njëri, i cili ka kërkuar që t’i fshihet identiteti, thotë se çdo ditë shihen makineri të rënda pranë shtratit të lumit.

Sipas tij, shkatërrimi lumit ka filluar menjëherë pas përfundimit të luftës në vitin 1999.

Ai thotë se policia, kohë pas kohe, ua konfiskon kompanive makineritë, por “shkatërrimi”, sipas tij, bëhet gjatë fundjavave dhe gjatë orëve të natës.

“Policia dhe inspektorët kanë qenë më herët, por tani nuk vijnë më, shumë rrallë”, thotë ky qytetar.

Image

Në më pak se dhjetë kilometra distancë, REL ka parë më 16 shtator më shumë se dhjetë kompani që merren me nxjerrjen dhe përpunimin e zhavorrit në këtë pjesë, por nuk ka mundur të bjerë në kontakt me udhëheqësit e tyre.

Këtë e dëshmojnë edhe imazhet satelitore si ky, të nxjerra nga platforma “Google Earth”.

MMPH: Po mundohemi ta ndalojmë këtë aktivitet ilegal

Nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e Kosovës (MMPHI) thonë për Radion Evropa e Lirë se janë duke u munduar vazhdimisht që të parandalojë degradimin e shtretërve të lumenjve.

Për këtë qëllim, MMPHI-ja thotë se po zhvillon aksione të koordinuara me institucione të tjera, përfshirë Njësitin e Policisë së Kosovës për Krimet Mjedisore.

“Këtë vit, nga zhvillimi i këtyre aksioneve janë konfiskuar disa makineri te rënda, si: ekskavatorë, kamionë e të tjerë, me të cilët janë kryer aktivitete ilegale. Aksioni është duke vazhduar dhe do të vazhdojë deri në ndalimin e plotë të kësaj dukurie të shëmtuar ilegale”, thuhet në deklaratën e MMPHI-së dhënë Radios Evropa e Lirë.

Image

Nga Policia e Kosovës thonë për REL-in se Njësiti për Hetimin e Krimeve Mjedisore, nga muaji janar e deri në fund të muajit gusht, ka iniciuar 54 raste të veprimeve të jashtëligjshme të ndotjes, degradimit apo shkatërrimit të mjedisit, përfshirë edhe rastet kur individë apo kompani janë zënë duke nxjerrë zhavorr nga shtretërit e lumenjve.

Gjatë vitit 2021, ky njësit ka iniciuar 15 raste, ndërsa më 2020 gjithsej 32 raste të shkeljeve ligjore, që përfshijnë ndotjen, degradimin apo shkatërrimin e mjedisit.

Shkelja e ligjit “në sy të shtetit”

Ligji për Ujëra në Kosovë përcakton që nxjerrja e zhavorrit nga operatorët e licencuar është e ndaluar më afër se 150 metra prej shtratit natyror të lumit.

Por, shumica e kompanive që merren me nxjerrjen e zhavorrit në fshatin Krushë e Prizrenit, kanë hapur gropa vetëm pak metra larg shtratit natyror të Drinit të Bardhë.

Aktivistja mjedisore, Egzona Shala - Kadiu, thotë se degradimi i lumenjve ka ndodhur me vite, sepse përgjigjja institucionale, sipas saj, ka qenë e zbehtë.

Ajo thotë se zbatimi i Udhëzimit Administrativ për ndalimin e eksploatimit të lumenjve për nxjerrjen e zhavorrit, nuk ka pasur mbikëqyrje. Andaj, shton ajo, operatorët vazhdojnë t’i shkatërrojnë lumenjtë.

Image

“Mungon inspektimi dhe kontrollimi i duhur. Kjo është njëra ndër arsyet kryesore që gjendja e lumenjve, shtretërit e lumenjve, ekosistemet lumore dhe biosistemi rreth lumenjve janë degraduar në masë të pakontrolluar”, thotë Shala - Kadiu.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KETU