Kriza për energjinë, themelohet Komiteti Teknik Emergjent

Kriza për energjinë, themelohet Komiteti Teknik Emergjent

Aktuale August 17, 2022 - 20:26

Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se duke u bazuar në situatën aktuale enegjetike të Kosovës, ministrja Artane Rizvanolli ka marrë vendim që të formohet Komiteti Teknik Emergjent (KTE) që përbëhet nga përfaqësues të të gjithë institucioneve relevante të energjisë.

Në njoftim thuhet se komiteti ka për qëllim hartimin e rekomandimeve për minimizimin e pasojave nga kriza energjetike, raporton Zeri.info.

“Komiteti Teknik Emergjent ka këtë përbërje: përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, Korporata Energjetike e Kosovës, Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Operatori i Sistemit të Distribucionit (KEDS), Furnizuesi i Shërbimit Universal (KESCO)”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se më mbledhjen e parë të Komiteti Teknik Emergjent rekomandoi që me qëllim të mbulimit të konsumit për këtë situatë të krijuar, KEK t’i ofrojë Operatorit të Sistemit të Distribucionit(KEDS) energjinë e siguruar, sipas kushteve të parapara në MFSH.

“Komiteti teknik ka si qëllim që të identifikojë ndikimin e mundshëm në situatën emergjente të furnizimit me energji, operimit dhe likuiditetit në tregun e energjisë, menaxhimin e situatës, si dhe rekomandimin e mënyrave të minimizimit të efekteve negative si në furnizim ashtu edhe në treg gjatë situatës emergjente”, thuhet ndër te tjera. /Zëri