Kurti për BBC serbisht: Më 1 shtator, ose do të nxjerrim dokumente për hyrje-dalje, ose do t’i anulojmë të dyja palët

Kurti për BBC serbisht: Më 1 shtator, ose do të nxjerrim dokumente për hyrje-dalje, ose do t’i anulojmë të dyja palët

Aktuale August 16, 2022 - 19:02

Në prang të raundit të ri të bisedimeve në Bruksel, kryeministri Albin Kurti thotë se Kosova pret më shumë vendosmëri e qartësi nga BE-ja, sidomos sa i përket ngjarjeve të tilla si ajo e javëve më parë kur u ndal lëvizja e lirë e qytetarëve në veri si pasojë e barrikadave të qytetarëve serbë, të nxitur nga qarqet e Beogradit.

“Ne kemi të drejtë të presim më shumë nga BE-ja, veçanërisht për të treguar më shumë qartësi dhe vendosmëri për pozicionet e saj, sidomos kur bëhet fjalë për ngjarje si barrikadat dhe incidentet e fundit”, ka deklaruar Kurti në një intervistë për redaksinë e BBC-së në gjuhën serbe.

Shefi i qeverisë së Kosovës ka folur edhe për takimin e 18 gushtit në Bruksel me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

“Është herët të thuhet se si do të përfundojë dhe çfarë karakteri do të ketë takimi. Ky takim është dashur të mbahet më 19 korrik, por presidenti serb ka kërkuar që të shtyhet për një muaj. Bisedimet po zhvillohen në dy pista dhe e para është takimi i liderëve ku do të kemi dy pika: elementet e kornizës së përgjithshme të marrëveshjes dhe çështjet aktuale. Shpresoj se do të vazhdojmë në atë mënyrë. Këto dy pika janë shumë të përgjithshme, por shpresoj se do të futemi në tema më specifike teksa bisedimet do të zhvillohen”, ka nënvizuar kryeministri Kurti, i cili si pistë të dytë ka përmendur bisedimet e ekipeve negociatore të udhëhequra nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, shef i të ashtuquajturës zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë.

Kurti theksoi se 1 shtatori do të jetë një ditë normale, datë kur pritet të nisë reciprociteti për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit serbë.

“1 shtatori do të jetë një ditë normale në pikat kufitare, ose do të nxjerrim dokumente për hyrje-dalje, ose do t’i anulojmë të dyja palët”, ka thënë Kurti, i cili nuk e ka përjashtuar mundësinë për ta diskutuar këtë temë në takimin e 18 gushtit.