Latifi në Austri prezanton punimin e tij, i përzgjedhur “ndër tre më të mirët” në pesë vitet e fundit

Latifi në Austri prezanton punimin e tij, i përzgjedhur “ndër tre më të mirët” në pesë vitet e fundit

Aktuale August 16, 2022 - 12:36

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, po merr pjesë në Kongresin Botëror të Kirurgëve, i cili po mbahet në Vjenë të Austrisë.

Në ditën e parë të kongresit, gjatë sesionit “menaxhimi i katastrofave”, Latifi, sipas komunikatës së MSH-së, prezantoi një punim, i cili thuhet se ishte përzgjedhur në mesin e tre punimeve më të mira të publikuara në pesë vitet e fundit.

Në punimin e tij, ai ka prezantuar konceptin e ndërtimit të Qendrave të Traumës dhe të Manaxhimit të Katastrofave, me përfshirje të Telemjekësisë.

Gjatë prezantimit, ministri ka theksuar nevojën e bashkëpunimit të vendeve të zhvilluara me vendet që kanë nevojë për të zhvilluar fushën e studimeve shkencore, duke veçuar Republikën e Kosovës si një vend që duhet të përkrahet në këtë aspekt.

Me që, Kosova, sipas Ministrit Latifi, është në vendin e gjashtë nga fundi i renditjes në mesin e vendeve të botës për punime shkencore të botuara në revista mjekësore, ai përmendi nevojën urgjente për bashkëpunim me vendet e zhvilluara me qëllim që të nxitet e zhvillohet më shumë kjo lëmi në Kosovë në këtë drejtim.

"Nga viti 1998-2019, 46% të punimeve të publikuara nga Kosova, ose nuk e kanë autorin e parë të punimit nga Kosova, ose nuk kanë fare autorë nga Kosova”, theksoi Latifi.

Ai ka prezantuar para audiencës një metodologji dhe teknikë të re për përkujdesje të pacientëve, që i nënshtrohet të ashtuquajturës “Kirurgji për Kontrollin e Dëmit”, "me rezultate shumë të mira, përmes të cilës bëhet dializa e drejtpërdrejtë peritoneale".

Në margjinat e këtij Kongresi, ministri Latifi ka takuar Presidentin lokal të Kongresit, Prof. Dr. Albert Tuchmann, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin dhe mbështetjen për sistemin shëndetësor të Kosovës në fushën e hulumtimeve shkencore. /Zëri