Hill: Asociacioni s’ndodh vetëm në Kosovë, ka edhe në pjesë tjera të Evropës

Hill: Asociacioni s’ndodh vetëm në Kosovë, ka edhe në pjesë tjera të Evropës

Aktuale August 16, 2022 - 12:31

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon këtë javë në Bruksel, por tensionet janë ngritur qysh para këtij takimi dhe analistët e shohin të vështirë që të ketë ndonjë rezultat pozitiv.

Megjithatë, ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se ideja e këtyre negociatave është që Kosova dhe Serbia të përgatiten për të ardhmen evropiane, raporton Zeri.info.

Ai madje ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk është diçka unike që ndodh vetëm në Kosovë, sepse ka edhe disa raste të tjera në pjesët e tjera të Evropës, pa përmendur se ku janë ato.

“E tërë ideja e këtyre negociatave është për t'i bërë Kosovën dhe Serbinë të gatshme për të ardhmen evropiane dhe një gjë që shohim në tërë Evropën, në shoqëritë multietnike, është ajo që kemi në mendje për Kosovën, e ajo është Asociacioni i komunave serbe dhe kjo nuk do të jetë diçka unike në Kosovë sepse kemi disa modele të ngjashme në pjesën tjetër të Evropës”, thuhet në video-përgjigjen e postuar në Twitter nga Ambasada amerikane në Beograd.

Këto komente Hilli i bëri teksa iu përgjigj një pyetjeje, se pse vendi i tij nuk po angazhohet që të formohet AKS-ja në Kosovë. /Zëri