Ish-komandanti i FSK-së: Ushtrisë i duhen disa vjet, momentalisht s’ka kapacitete për mbrojtje të sovranitetit
Foto:Laura Hasani

Ish-komandanti i FSK-së: Ushtrisë i duhen disa vjet, momentalisht s’ka kapacitete për mbrojtje të sovranitetit

Aktuale August 11, 2022 - 08:16

Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Kadri Kastrati, në një intervistë  ka thënë se ushtrisë së Kosovës i nevojiten edhe disa vjet për të ngritur kapacitet dhe për ta përmbushur misionin që ka sipas ligjit, e që është edhe mbrojtja e sovranitetit.

Ndonëse thotë se misioni i ushtrisë është i rregulluar edhe me Kushtetute e janë në fuqi dy ligje ke ende punë për të bërë ngase ushtria ende është në fazë të tranzicionit.

“Ne e dimë që në vitin 2018 janë miratuar dy ligjet. Ligji për Forcën e Sigurisë dhe për Ministrinë e Mbrojtjes. Që nga atëherë ka filluar faza e tranzicionit. Ushtrisë së Kosovës i nevojiten edhe disa vjet për të ngritur kapacitet dhe për ta përmbushur misionin që ka sipas ligjit dhe Kushtetuese ai është që ushtria është përgjegjëse për sovranitetin dhe mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës dhe qytetarëve”.

“Duke pasur parasysh se jemi akoma larg këtyre kapaciteteve mendoj që ushtria e Kosovës akoma nuk i ka kapacitetet e mjaftueshme për ta përmbushur këtë mision”, tha ai.

Ai vlerëson se Qeveria e Kosovës duhet të investojë më shumë në pajisjet dhe armatimin e Policisë.

Madje, ai tha se  për këtë nevojitet edhe rritja e numrit të njësiteve për operacione speciale brenda territorit të Kosovës, raporton EO.

“Policia është duke bërë një punë të shkëlqyer. Qeveria e Kosovës do te duhet të investojë më shumë në pajisjet dhe armatimet e policisë dhe të rritë numrin e njësiteve për operacione speciale brenda territorit të Kosovës e cila do të ishte e aftë ti luftojë të gjitha këto fenomene që janë duke ndodhur në Kosovë krimin e organizuar, korrupsionin. Po të investohej më tepër Policia e Kosovës do t’i kryente të gjitha obligimet të cilat i ka sipas ligjeve”, tha Kastrati.

Ditë me parë ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj ka thënë se FSK-ja po punohet cdo ditë në fuqizimin e ushtrisë për të mbrojtur cdo cep të Kosovës.

Për këtë ka reaguar ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Nebojsa Stefanoviq. Ai ka thënë se s’ka asnjë ligj ndërkombëtar që i lejon Kosovës të formojë ushtri, duke shtuar se vetëm KFOR-i është e vetmja forcë e armatosur sipas rezolutës 1244 të OKB-së.